“Dëm historik!”- Grabitja në Muzeun e Luvrit, prokurorja: Vlera e bizhuterive arrin në 88 milionë euro! Hajdutët nuk do e fitojnë shumën nëse i shkrijnë
Vjedhja e së dielës në muzeun e Luvrit është vlerësuar në 88 milionë euro, sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau.
“Shuma e dëmit është vlerësuar nga kujdestari i muzeut në 88 milionë euro,” deklaroi ajo për radion RTL, duke e quajtur këtë një shumë jashtëzakonisht të madhe. Por, siç shtoi Beccuau, “nuk mund të krahasohet me dëmin historik që është shkaktuar”.
Sipas saj, hajdutët nuk do të përfitojnë nga kjo shumë “nëse u shkon mendja e keqe t’i shkrijnë bizhuteritë”.
“Mund të shpresojmë që do ta mendojnë mirë dhe nuk do t’i shkatërrojnë pa arsye këto bizhuteri me vlerë historike,” shtoi prokurorja.
Prokurorja konfirmoi se katër persona janë identifikuar si të pranishëm në vendngjarje, por la të hapur mundësinë e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të tjerë. Aktualisht po kryhen analiza të gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes, për të parë nëse mund të identifikojnë ndonjë nga autorët.
Ajo gjithashtu zbuloi një detaj kyç, hajdutët përdorën një platformë ngritëse, të cilën e morën nëpërmjet një qiraje të rreme me pretekstin e një zhvendosjeje.
“Kur një nga punonjësit e kompanisë që e kishte dhënë me qira arriti në vendin e pretenduar të zhvendosjes, u përball me dy burra kërcënues. Nuk pati dhunë fizike, por situata ishte mjaft alarmante,” shpjegoi Beccuau, duke iu referuar një kallëzimi penal të bërë nga kompania.
Prokuroria e Parisit ka angazhuar grupin e specializuar JIRS për të drejtuar hetimin, ndërsa rreth 100 hetues janë mobilizuar për zbardhjen e ngjarjes. Dy ditë pas grabitjes spektakolare, autoritetet ende po kërkojnë katër autorët që u arratisën me tetë bizhuteri të Kurorës Mbretërore Franceze.
Ministria Franceze e Kulturës ka publikuar një listë të bizhuterive të vjedhura nga hajdutët në shtatë minuta.
Kurorë nga seti i bizhuterive të mbretëreshës Maria Amalia dhe mbretëreshës Hortense
Gjerdani nga seti i safirëve të Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense:
Vathë nga seti me safirë i Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense
Varëse smeraldi nga koleksioni i perandoreshës Maria Luiza
Një palë vathë smeraldi nga i njëjti set
Karficë me relike
Kurora e perandoreshës Eugenia
Karficë në formë fjongoje e perandoreshës Eugenia, një objekt unik me 2,634 diamantë, i blerë nga Luvri në vitin 2008 për 6.72 milionë euro, pasi kishte qenë më parë në një koleksion privat në SHBA.