Tue, Oct 21, 2025

Ish-i dashur e kërcënonte nga burgu, 16-vjeçarja tenton të dëmtojë veten! Kafshon policen gjatë dëshmisë

  • PublishedOctober 21, 2025

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një 16-vjeçare ka tentuar të vetëdëmtohet si pasojë e një gjendjeje të rënduar psikologjike, e shkaktuar nga përndjekja e vazhdueshme nga ish-i dashuri i saj dhe një person tjetër.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur teksa e mitura po jepte deklaratën në komisariat për rastin e përndjekjes. Në kushte të rënduara psikologjike, ajo ka përdorur një mjet prerës për të dëmtuar veten dhe ka ushtruar dhunë ndaj një punonjëseje policie, duke e kafshuar.

Sipas burimeve, vajza kishte pasur një lidhje me shtetasin Jetmir Llanaj, i cili u arrestua në mars të vitit 2025 për gjobëvënie.

Pas ndarjes nga Llanaj dhe nisjes së një lidhjeje të re nga ana e vajzës, dyshohet se ai ka organizuar një person tjetër që ta përndiqte të miturën, nga xhelozia dhe inati.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se e mitura, e bezdisur dhe e tronditur nga situata, është vetëprerë me një copë xhami, por fatmirësisht ka marrë lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet shtesë në Prokurori për shtetasin J.  Ll. (aktualisht në IEVP), si dhe referuan materialet në Prokurori për një 16-vjeçare, pasi dyshohet se shtetasi J. Ll. dhe një shtetas tjetër kanë përndjekur të miturën, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, është vetëdëmtuar lehtë, me mjet prerës, si dhe ka goditur punonjësen e Policisë, kur po deklaronte për rastin. Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasit tjetër që dyshohet se ka përndjekur të miturën, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia.