Kujdestaria në qendër të betejës: Lucia Bartoli dhe Philipp Plein përballen në gjykatë pas ndarjes së bujshme
Lucia Bartoli dhe stilisti i njohur gjerman Philipp Plein po kalojnë një betejë të ashpër ligjore për kujdestarinë e fëmijëve të tyre. Pas një marrëdhënieje 5-vjeçare që përfundoi në mars të vitit 2023, ish-çifti është përfshirë në një proces të ndërlikuar gjyqësor në Zvicër, ku tensionet mes tyre janë thelluar ndjeshëm.
Sipas mediave ndërkombëtare, gjykata ka vendosur që kujdestaria kryesore t’i takojë Philipp Plein, ndërsa Bartoli lejohet të shohë fëmijët vetëm nën mbikëqyrje. Plein ka deklaruar se vendimi është marrë mbi bazën e raporteve të ekspertëve dhe vlerësimeve ligjore, duke mohuar çdo akuzë për abuzim me pushtetin apo ndikim në procesin gjyqësor.
Nga ana tjetër, Lucia Bartoli ka nisur një fushatë publike për të kërkuar rishqyrtimin e çështjes. Ajo ka publikuar një peticion online, ku pretendon se është viktimë e një procesi të padrejtë dhe të njëanshëm, dhe kërkon drejtësi për të dhe për fëmijët e saj.
Pas ndarjes, Bartoli akuzoi Plein për tradhti, ndërsa ky i fundit nisi menjëherë një lidhje të re me modelen rumune Andreea Sasu. Ndërkohë, lufta ligjore për kujdestarinë vazhdon, me të dyja palët të vendosura për të fituar.
Zhvillimet e ardhshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi të vërtetën dhe të përcaktojnë përfundimisht të ardhmen e fëmijëve.