Tue, Oct 21, 2025

“Më ka ngacmuar seksualisht”/ Egla Ceno dënohet për shpifje ndaj Saimir Kodrës për deklaratën në ‘Big Brother’

  • PublishedOctober 21, 2025

Aktorja Egla Ceno është dënuar me 1 milionë lekë të vjetra gjobë nga Gjykata e Tiranës, pasi është gjetur fajtore për veprën penale të shpifjes, në dëm të gazetarit dhe drejtuesit të emisionit investigativ, Saimir Kodra.

Vendimi është marrë këtë të martë dhe siç është lexuar në sallën e gjyqit, Elga Celo është shpallur fajtor dhe Saimir Kodra palë e dëmtuar.

Gjatë një deklarate televizive, aktorja deklaroi se ishte ngacmuar seksualisht nga gazetari Saimir Kodra, kur kishte shkuar për punë. Rasti bëri bujë të madhe dhe gazetari njoftoi se do i drejtohej gjykatës.

Rasti përfundoi para togave të zeza dhe Egla Ceno është pyetur sërish për deklaratën e saj publike në dëm të Saimir Kodrës, ku raportohet se ka dhënë disa versione kontradiktore, çka ka bërë që Gjykata e Tiranës t’i gjejë ato të pabaza dhe ta shpallë aktore, fajtore.

Fillimisht, ajo deklaroi se kishte frikë të paraqitej në gjykatë. Më pas, në një tjetër deklarim, tha se nuk e kishte përmendur Saimir Kodrën, duke u justifikuar se kishte thënë vetëm mbiemrin “Kodra”, pa përmendur emër. Në një seancë të mëvonshme, ajo ndryshoi sërish qëndrim, duke pohuar se deklaratat e saj nuk kishin të bënin me Saimir Kodrën personalisht, por me një kauzë simbolike për gratë e abuzuara seksualisht.

Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, aktorja Egla Ceno është shpallur fajtore për akuzën e shpifjes dhe është dënuar me 1 milionë lekë të vjetra gjobë, pasi deklaratat e saj publike kanë cënuar reputacionin e gazetarit Saimir Kodra dhe i kanë shkaktuar këtij të fundit dëm të padrejtë.