Tue, Oct 21, 2025

Nga arrestimi i Metës tek burgosja e Sarkozy, analiza e Eduard Halimit: Dy mënyra për të kuptuar drejtësinë: njëra e BE-së, tjetra e propagandës

  • PublishedOctober 21, 2025

NGA EDUARD HALIMI

Sot, në Tiranë, u zhvillua një aktivitet që përshëndeti “reformën për drejtësinë e re” në Shqipëri si hap i madh drejt BE!

Po sot në Francë, ish-presidenti Sarkozy shkon në burg për “pjesmarrje në grup kriminal”. (Si avokat e kam ndjekur me shumë interes dhe jo pa habi profesionale proçesin)

Por shkon në burg me qetësi, dorë për dore me bashkëshorten.
Pa poshtërim, shoqeruar me respekt nga Policia dhe ndjekësit! Ministri i Drejtësisë do e vizitojë në burg!

Sepse drejtësia e vërtetë nuk ka nevojë për propagandë — ajo flet vetë, me dinjitet dhe me forcën e ligjit dhe respektin institucional!

Në Shqipëri, si sot fiks një vit më parë, (rastësi ironike) ish-presidenti Ilir Meta arrestohet për “fshehje të të ardhurash” (jo grup strukturuar kriminal si Sarkozy)

Por arrestohet jo si qytetar që duhet ti nënshtrohet ligjit, por si armik që duhet poshtëruar publikisht.

Retorika politike, stigmatizimi publik dhe etiketimet e parapërgatitura çuan në një arrestim flagrant policor në autostradë, në makinën e tij, nga dhjetëra forca të armatosura, pa shenja dalluese policore, me maska në fytyrë dhe armë të rënda në duar, që terrorizuan qytetarët dhe shpresuan të ofrojnë spektakël në vend të drejtësisë.

Ish Presidenti Meta u tërhoq zvarrë, u trajtua në mënyrë degraduese dhe çnjerëzore, vetëm për të prodhuar një pamje që ushqen propagandën.

Në Francë, shteti dhe drejtësia tregon forcë përmes qetësisë.
Në Shqipëri, shteti dhe drejtësia tregon dobësi përmes dhunës, zhurmës dhe propagandës!

Sepse këtu drejtësia e re nuk zbatohet — përdoret.
Përdoret jo për të zbatuar ligjin, por për të ndërtuar fushata për agjenda politike!

Jo për të mbrojtur dinjitetin e drejtësisë, por për të ushqyer propagandën dhe turmat agresive!

Sot, pas një viti, kontrasti është brutal: drejtësia është institucion, drejtësia është instrument politik dhe i propagandës statistikore!

Ne nuk kemi problem me ligjet!

Ne kemi problem me kulturën dhe mentalitetin si e duam drejtësinë!

Sepse na pëlqen drejtësia represive që poshtëron, që i shërben propagandës dhe jo drejtësia që i shërben qytetarit!

Rasti tregon se kjo e jona nuk është drejtësi — është pushtet me maskë për të ushqyer turmat agresive në rrjetet sociale!