Nicki Minaj zbulon datën e albumit të ri me një “thumb” për Jay Z: Unë jam karma jote
Reperja e njohur amerikane, Nicki Minaj, ka bërë një njoftim të bujshëm për publikimin e albumit të saj më të ri, i cili pritet të dalë më 27 mars të vitit të ardhshëm. Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje nuk është vetëm data, por mënyra se si Minaj ka zgjedhur ta bëjë këtë paralajmërim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nicki ka shpërndarë një fotografi të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet producenti i njohur Jay Z në një version krejt ndryshe nga ai që publiku është mësuar ta shohë. Në imazh, ai ka veshur një bluzë të shkurtër rozë që i mbulon vetëm gjoksin, një paruke rozë, syze të zeza dhe një varëse me mbishkrimin “Queen”. Në stomakun e ekspozuar shkruhet data e lansimit të albumit.
Postimi u shoqërua me një përshkrim provokues: “Unë jam karma jote”, duke shtuar spekulimet për një përplasje të ashpër mes dy figurave të industrisë së muzikës. Raportohet se marrëdhëniet mes Nicki Minaj dhe Jay Z janë tensionuar kohët e fundit, për shkak të akuzave të ndërsjella për borxhe dhe mosmarrëveshje profesionale.
Kjo lëvizje kreative e Minaj duket se nuk është vetëm një mënyrë për të promovuar albumin, por edhe një mesazh i qartë për ata që, sipas saj, “ia kanë borxh”.