OKB: Kërcënimet dhe veprimet e fshehta të SHBA-së ‘shkelin sovranitetin e Venezuelës’
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara dënuan ashpër të martën (21 tetor) veprimet e fshehta dhe kërcënimet për përdorim force të armatosur nga ana e Shteteve të Bashkuara kundër Venezuelës, duke komentuar për herë të parë mbi përshkallëzimin në rritje të tensioneve mes dy vendeve.
“Në thelb, këto veprime shkelin detyrimet ndërkombëtare për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe për të mos kërcënuar me përdorim force”, deklaruan ekspertët. Sipas tyre, situata përfaqëson një “përshkallëzim jashtëzakonisht të rrezikshëm”, me pasoja serioze për paqen dhe sigurinë në rajonin e Karaibeve.
Në deklaratë thuhet se SHBA ka ndërmarrë tashmë një përforcim të konsiderueshëm ushtarak në Karaibe, ndërsa theksohet se këto lëvizje ndodhin në një kohë kur Uashingtoni ka kryer disa operacione vdekjeprurëse në det të hapur, duke goditur anije pranë brigjeve të Venezuelës, të cilat dyshohet se përfshiheshin në trafikim droge.
“Edhe nëse këto pretendime do të ishin të mbështetura me prova, përdorimi i dhunës vdekjeprurëse në ujërat ndërkombëtare, pa bazë të qartë ligjore, përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare të detit dhe mund të konsiderohet si ekzekutim jashtëgjyqësor,” thuhet më tej.
Ekspertët nënvizojnë se çdo përgatitje për veprim ushtarak të fshehtë apo të drejtpërdrejtë kundër një shteti tjetër sovran përbën një shkelje serioze të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
“Historia e ndërhyrjeve në Amerikën Latine nuk duhet të përsëritet”
“E kaluara e gjatë e ndërhyrjeve të huaja në Amerikën Latine nuk duhet të përsëritet,” paralajmërojnë ekspertët e OKB-së.
“Nga historia duhet të mësojmë, jo ta përsërisim. Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbrojë rendin ndërkombëtar, të drejtën ndërkombëtare, dialogun dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.”
Ata i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ndalojnë menjëherë çdo sulm apo kërcënim të paligjshëm, të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj multilateralizmit dhe parimeve të Kartës së OKB-së.
Ekspertët kanë komunikuar tashmë shqetësimet e tyre me qeverinë amerikane në mënyrë zyrtare.