Tue, Oct 21, 2025

Shoqëria civile: Ligji për “Barazinë Gjinore” mbron familjen, barazinë dhe dinjitetin

  • PublishedOctober 21, 2025

Një koalicion i gjerë prej 21 organizatash të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së grave, të mbështetura nga Avokatja e Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kërkuan përmes një konference për shtyp miratimin pa ndryshime të projektligjit për “Barazinë Gjinore” të martën.

Sipas deklaratës së organizatave, qëllimi parësor i këtij projektligji është që të sigurojë të drejtën e çdo individi për barazi gjinore dhe mbrojtje efektive nga diskriminimi mbi bazë gjinore, si në jetën publike ashtu edhe private.

Diskutimet mbi projektligjin për “Barazinë Gjinore” janë shoqëruar me polemika dhe një fushatë dezinformimi nga aktorë publikë, të cilët e prezantojnë veten si mbrojtës të familjes tradidicionale. Si pasojë, Partia Socialiste ka dorëzuar një seri amendamentesh në Kuvend, duke u rikthyer tek terminologjia binare “burrë- grua” si dhe fshirjen e termave gjithëpërfshirës nga drafti, të tilla si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore” apo “orientim seksual”.

“Projektligji i ri përditëson ligjin ekzistues të vitit 2008, duke e përafruar me Acquis Communautaire të Bashkimit Europian, si edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, CEDAW, dhe atë të Stambollit kundër dhunës ndaj grave,” tha Mirela Arqimandriti, drejtuese ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim.

Ajo shpjegoi gjithashtu se ligji citon si një prej qëllimeve, përcaktimin e autoriteteve përgjegjëse për nxitjen e barazisë gjinore dhe detyrat e tyre për implementimin e kësaj barazie, specifikisht ministrinë përgjegjëse për çështjet e barazisë gjinore, në bashkëpunim edhe me Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, si edhe institucionet e tjera të pavarura në vend.

“Ligji i ri forcon mekanizmat e llogaridhënies, bën të detyrueshëm buxhetimin e përgjithshëm, vlerëson punën e papaguar të kujdesit, promovon paga të barabarta për punë të barabartë”, qartësoi Arqimandriti mbi prioritetet kryesore të ligjit.

Arqimandriti sqaroi për publikun se ndryshe nga çfarë është prezantuar përgjatë fushatës dezinformuese, ky projektligj nuk prezanton gjini të reja, si edhe nuk ndryshon konceptet “nënë’, “baba” apo “prind”.

“Përkundrazi, ky ligj forcon familjen shqiptare, mbron dinjitetin e çdo qytetari dhe siguron respekt të ndërjelltë mes burrave dhe grave,” shtoi drejtuesja e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim.

Projektligji u vlerësua gjithashtu si një thirrje për drejtësi në emër të respektit të të drejtave të njeriut dhe të ardhmes së përbashkët.

“Ky ligj nuk është për ndarje, por për bashkim, për familjen, për barazinë, dhe për dinjitetin njerëzor”, ishte mesazhi i organizatave të shoqërisë civile në konferencën e tyre për shtyp.

Organizatat e shoqërisë civile kundërshtuan fuqishëm përpjekjet e deputetëve për të hequr terminoligjinë thelbësore nga ligji për “Barazinë Gjinore”, përfshirë termat ‘stereotip gjinor’ dhe ‘përkatësi e shumëfishtë’.

“Heqja e termave ‘stereotip’ dhe ‘përkatësi e shumëfishtë’ në fakt e dobëson ligjin dhe cënon përparimin në fushën e të drejtave të njeriut,” tha Arqimandriti gjatë konferecës për shtyp, duke shtuar se këto nuk janë koncepte ideologjike, por shtyllat themelore që e bëjnë ligjin efektiv.

“Nëse eleminojmë fjalën ‘stereotip’ do të thotë se po zgjedhim të mos shohim rrënjën e pabarazisë,” theksoi Arqimandriti.