Emigrantët e paligjshëm në Britani, Starmer zotohet të mbyllë rrugët përmes Ballkanit Perëndimor! Kryeministri ironizon Farage: Disa kanë zgjedhur të fyejnë shqiptarët
Kryeministri britanik Keir Starmer, është zotuar se do të mbyllë rrugët kriminale përmes Ballkanit Perëndimor, e cila, sipas tij, “po përmbyt Britaninë me emigrantë”.
Sot, Starmer priti në Londër liderët e vendeve të rajonit, në një samit të posaçëm, ku synimi ishte të goditen rrjetet e kontrabandistëve që qëndrojnë pas shtimit të kalimeve të paligjshme përmes Kanalit të La Manshit.
Në një deklaratë për The Sun, kryeministri tha se trafikantët kanë ndërtuar një perandori kriminale që shtrihet në të gjithë Europën, dhe se Britania e Madhe duhet ta mbyllë këtë rrugë dhe të shkatërrojë bandat që e menaxhojnë atë.
“Ka një autostradë kriminale që kalon përmes Ballkanit Perëndimor, e cila i çon migrantët e paligjshëm drejt Britanisë. Detyra jonë është ta mbyllim atë dhe të godasim bandat që e kontrollojnë”, tha Starmer.
Qeveria britanike kishte planifikuar të shpallte marrëveshje për ngritjen e qendrave të kthimit gjatë samitit, por një burim qeveritar tha se prioritet mbetet goditja e krimit të organizuar dhe stabilizimi i sigurisë kufitare në rajon.
Duke iu ironizuar deklaratat e Nigel Farage, lideri i Reform UK, Starmer tha se disa kanë zgjedhur të fyejnë vende si Shqipëria, në vend që të punojnë me to për zgjidhjen e problemit.
Komenti i tij lidhet me përplasjet mes Farage dhe kryeministrit Edi Rama, që kanë përfshirë akuza të ndërsjella për trajtimin e emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë, Britania tashmë ka filluar të vendosë dronë në pikat kufitare të Ballkanit, për të ndihmuar në ndalimin e kontrabandistëve që lëvizin njerëz drejt BE-së dhe më pas në Britani.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme britanike, rreth 25% e emigrantëve që mbërrijnë me varka të vogla në Britani kalojnë më parë përmes Ballkanit Perëndimor.