Wed, Oct 22, 2025

Inter perfekt në Champions, “poker” zikaltër ndaj Royale, Chivu “driblon” Napolin: Të shijojmë këtë fitore

  • PublishedOctober 22, 2025

“Poker” zikaltër në Belgjikë. Inter kalon me lehtësi Royale Union, triumfon me rezultatin e pastër 4-0 duke vijuar ecurinë perfekte në Champions League, 3 ndeshje 3 fitore, 9 pikë të plota, 9 gola të shënuar 0 të pësuar. Ekipi i Chivu hasi pak vështirësi në fillim, por në fundin e pjesës së parë “shpërthyen” me një “dopietë” golash.

Fillimisht ishte Dumfries që përfitoi gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, ku brenda në zonë i pa shqetësuar tundi rrjetën. Në minutën e 45-të, Inter zbriti me një kundërsulm të shpejtë ku Pio Esposito dhuroi një asist të pastër për Martinez, me kapitenin që gjeti trekëndëshin me një goditje perfekte.

Inter nuk e uli ritmin as në fraksionin e dytë, ku në minutën e 53-të, Martinez fitoi një 11-metërsh për prekje të topit me dorë në zonë. Nga pika e bardhë, Calhanoglu u tregua i saktë duke trefishuar shifrat. Chivu ndërhyri në formacion për të freskuar ekipin duke ulur në stol disa nga titullarët e rëndësishëm, por festa nuk përfundoi këtu, pasi në minutën e 76-të, Pio Esposito gjeti golin e tij të parë në Champions duke firmosur “pokerin” zikaltër.

I kënaqur pas këtij suksesi i shfaq trajneri Chivu, fundja me të drejtë pasi ekipi i tij funksionoi në mënyrë perfekte: “Ky është një grup fantastik, për më tepër ka ende vend për përmirësim. Më pëlqen sepse lojtarët janë të hapur për të gjera të reja teknike dhe taktike. Tani sfida me Napolin? Në jetë kam mësuar të shijoj fillimisht një fitore, të mos mendoj për ndeshjen e radhës, do kemi kohë të mendojmë për Serie A”, u shpreh Chivu.

()

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net