Po udhëheq ekipin drejt Premier Ligës, Anis Mehmeti pas golit të radhës: E dimë çfarë na pret të shtunën
Anis Mehmeti shkëlqeu mbrëmë me Bristol Sitin në Championship. Klubi anglez fitoi 3 me 1 përballë Sauthempton, ndërsa sfida ishte e vlefshme për javën e 11-të të kampionatit.
Mehmeti vendosi baraspeshën duke i hapur rrugë fitores me përmbysje. Takimi i radhës është me Birmingham dhe sulmuesi shqiptar e shprehu hapur dëshirën për të koleksionuar fitoren e tretë radhazi.
“Ishte një fitore e madhe ndaj një skuadre të fortë dhe jemi shumë të lumtur që morëm tre pikët.
Kemi mentalitet të mrekullueshëm. E dinim që me një gol do të ndryshonim ndeshjen në çdo moment. Të ktheheshim në ndeshje ishte kyçe për ne, në pjesën e dytë ishim të mrekullueshëm.
Kam punuar shumë, duke u futur mes linjave dhe përtej vijës së fundit të mbrojtjes, dhe gjithçka nisi nga një pasim i shkëlqyer i Robit. Jam shumë i kënaqur me atë gol.
Ndryshimet tona varen nga ndeshja. Vendosëm për bllok të ulët, e dimë që me tranzicion mund t’i shënojmë kujtdo. Dhe u realizua.
Vitin e kaluar ishim shumë mirë në shtëpi, këtë vit kemi qenë mirë në transfertë dhe jo në shtëpi. Donim ta ndryshonim dhe nisi nga sot.
E dimë që na pret një ndeshje e rëndësishme të shtunën, dhe duhet ta bëjmë tre fitore nga tre.
Duhet të pushojmë, të rikuperohemi dhe të shkojmë drejt tyre, ta sjellim energjinë, dhe këtë do ta bëjmë”, u shpreh Mehmeti ndër të tjera. Objektiv për Bristolin është që të ngjitet në elitën e futbollit anglez.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL