Rihanna humb 36 milionë dollarë nga projekti i dështuar i modës me Louis Vuitton
Rihanna ka humbur rreth 36 milionë dollarë nga bashkëpunimi i saj me gjigantin francez të modës, Louis Vuitton, në projektin Fenty, një linjë veshjesh që u lançua me bujë në vitin 2019, por që u mbyll vetëm dy vite më vonë.
Sipas dokumenteve financiare të kompanisë së saj britanike, Denim UK Holdings, humbja erdhi si rezultat i mbylljes së linjës së veshjeve Fenty, e cila nuk arriti të përmbushë pritshmëritë tregtare. Projektin e goditi veçanërisht pandemia, që kufizoi udhëtimet dhe ndikoi drejtpërdrejt në procesin krijues të këngëtares, e cila ishte e përfshirë personalisht si dizajnere.
Në fillim të projektit, Rihanna kishte investuar afro 35 milionë dollarë, ndërsa kompania mëmë e Louis Vuitton-it, LVMH, kishte hedhur një shumë të ngjashme. Të dyja palët mbanin përkatësisht 49.99% dhe 50.01% të aksioneve përmes një kompanie të quajtur Project Loud France, një referencë ndaj albumit të saj të pestë, Loud.
Megjithatë, çmimet e larta, si xhaketat që kushtonin deri në 1,000 dollarë dhe mungesa e interesit të tregut çuan në vendimin për ta ndërprerë linjën në vitin 2021.
Rihanna dhe LVMH atëherë njoftuan se do të përqendroheshin në zhvillimin e linjave më fitimprurëse si Fenty Beauty, Fenty Skin dhe Savage X Fenty.
Pavarësisht humbjes, Rihanna mbetet një nga gratë më të pasura në industrinë e argëtimit, me një pasuri të vlerësuar rreth 1.4 miliardë dollarë.