Shfaqje pa leje? Rosalía përballet me gjobë deri në 600 mijë euro në Spanjë
Këngëtarja Rosalía përballet me një gjobë prej 600,000 eurosh pas një shfaqjeje të paplanifikuar që shkaktoi bllokim të trafikut në sheshin Callao të Madridit. Artistja, 33 vjeçe, kishte njoftuar në TikTok se do të vinte për një “surprizë” lidhur me prezantimin e kopertinës së revistës LUX, e cila u shfaq në një ekran të madh në qendër të qytetit.
Sipas kronologjisë së ngjarjes, Rosalía u detyrua të braktiste makinën gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë dhe vrapoi drejt një hoteli pranë sheshit, ku më pas u shfaq nga një dritare për të përshëndetur adhuruesit e grumbulluar. Pamjet dhe komentet në rrjetet sociale përshpejtuan mbërritjen e autoriteteve.
Të martën, nënkryetarja e Bashkisë së Madridit, Inma Sanz, njoftoi se po hetohej nëse ishte kërkuar leja për organizimin e aktivitetit në hapësirë publike. Zyrtarët e transportit, përfaqësuar nga Borja Carabante, thanë se nuk kanë marrë informacion për ndonjë kërkesë zyrtare dhe po verifikojnë në të gjitha departamentet përkatëse. Nëse rezulton se nuk është paguar apo nuk është paraqitur autorizimi, pritet të ndiqen procedurat disiplinore dhe të aplikohen gjobat për organizim pa leje.
Policia e Madridit përshkroi ngjarjen si spontane dhe pranoi se iu desh të ndiqte rrjetet sociale për të kuptuar çfarë po ndodhte, për shkak të mungesës së komunikimit paraprak zyrtar. Deri tani, hetimet vazhdojnë dhe nuk është dhënë ende një vendim përfundimtar.