Wed, Oct 22, 2025

Shtohet “oreksi” te Vllaznia, shkodranët duan fitoren e pestë në 6 javë

  • PublishedOctober 22, 2025

Fitorja me Bylis në transfertë ka shtuar “oreksin” tek Vllaznia, me kuqeblutë që me suksesin 0-1 ndaj mallakastriotëve shkuan në 3 fitore radhazi.

Por, kuqeblutë e drejtuar nga Edi Martini nuk duan të ndalen me kaq dhe objektivi në ndeshjen e radhës është sërish fitorja. Edhe pse se përballë është Tirana dhe klasikja ngelet gjithmonë e paparashikueshme, pavarësisht pozicionit apo formës së kundërshtarit.

Megjithatë në Shkodër janë sërish të bindur për një sukses në duelin e radhës. Patjetër me objektiv për 3 pikët, por gjithmonë, duke respektuar edhe Tiranën, që ngelet një “peshë” e rëndë e futbollit shqiptar.

Në këtë mënyrë ndaj kryeqytetasve, Vllaznia nuk kërkon vetëm fitoren e radhës, por krijimin e një vijimësie në Superiore. Që do i bënte të mundur akoma më tepër shkëputjen ndaj kundërshtarëve në një moment ku po vjen fundi i fazës së parë. Gjithashtu 9 herë kampionët e vendit kërkojnë të ruajnë me “fanatizëm” rekordin e ndeshjeve shtëpiake këtë edicion në Superiore. Kjo pasi Vllaznia ka një rekord absolut me 100% të fitoreve në duelet se pritëse këtë sezon.

Me “Loro Boriçin” që është shndërruar në një “fortesë” dhe i pakalueshëm për kundërshtarët. Kjo pasi shkodranët njohin vetëm fjalën fitore në shtëpi, pas sukseseve 2-0 ndaj Egnatias, 4-1 ndaj Partizanit, 2-0 ndaj Vorës dhe 1-0 ndaj Elbasanit. Pikërisht këtë trend fitoresh nuk duan ta prishin në radhët e Vllaznisë as ndaj Tiranës, ku objektivi është fitorja dhe sigurimi i 3 pikëve të radhës.

© BalkanWeb


AlbaniaWeb.net