Thu, Oct 23, 2025

Elbasan, “arma sekrete” e Gvozdenoviçit para Bylisit

  • PublishedOctober 23, 2025

Pavarësisht humbjes së fundit me Vorën dhe rezultateve jo të kënaqshme në tre javët e fundit, në kampin verdheblu mbizotëron bindja se ky moment i vështirë do të kalohet shpejt. Në Elbasan shpresojnë që përballja e nesërme ndaj Bylisit të shënojë pikën e kthesës, për të rikthyer qetësinë dhe besimin në skuadër.

Në njëfarë mënyre mund të thuhet se përballja me mallakastriotët merr një rëndësi të veçantë për momentin delikat të elbasanasve. Një fitore do të kishte vlerë të dyfishtë: do të qetësonte ambientin dhe do ta mbante skuadrën në garë për objektivat sezonalë, edhe pse kampionati është shumë i gjatë ende.

KRIZA E GOLIT – Këto javë të para të kampionatit kanë treguar një Elbasan që ende nuk ka gjetur ritmin e duhur në fazën ofensive. Skuadra ka hasur shumë vështirësi për të shkuar tek goli, dhe mjafton të përmendet fakti se në shtatë javë ka realizuar vetëm pesë herë, njëra prej të cilave madje ka ardhur nga një autogol i kundërshtarit. Ky është një tregues që flet qartë për problemet në finalizim, ndërsa në tre ndeshjet e fundit elbasanasit kanë gjetur rrugën e rrjetës vetëm një here, pikërisht në sfidën ndaj Vorës, e cila u mbyll me humbje.

Në këtë mënyrë, situata në kampin verdheblu shihet si delikate, sidomos në prag të përballjes me Bylisin, një ndeshje që pritet të ketë peshë të madhe psikologjike. Në stërvitjet e fundit, trajneri Gvozdenoviç ka provuar disa alternativa në fazën e avancuar, duke kërkuar më shumë dinamizëm dhe efikasitet përpara portës. Një nga ndryshimet që pritet të sjellë është aktivizimi nga minuta e parë i sulmuesit të rikthyer Arsen Lleshi. Ky i fundit mori pak minuta në sfidën me Vorën, më shumë për t’u futur në ritëm pas mungesës, ndërsa tashmë duket se është gati për të qenë titullar.

“ARMA PLUS” – Nga ana tjetër, Lleshi mund të konsiderohet si “arma sekrete” e Elbasanit për këtë takim. Statistikat flasin në favor të tij, pasi 25-vjeçari ka treguar se ndjen veçanërisht mirë përballjet me Bylisin. Vetëm sezonin e kaluar, në dy ndeshje kundër ballshiotëve, ai realizoi tre gola, duke i dhënë skuadrës së tij gjashtë pikë të plota. Në dy përballjet e tjera nuk ishte pjesë e ekipit për shkak të një dëmtimi të rëndë që e detyroi të ndërpriste sezonin në mes. Pikërisht për këtë arsye, trajneri Gvozdenoviç shpreson që Lleshi të jetë faktori që do të bëjë diferencën në sfidën e së premtes, për të rikthyer Elbasanin tek fitorja dhe për t’i dhënë skuadrës një tjetër frymëmarrje në garë. Një sukses do të kishte efekt të dyfishtë: do të shërbente si reagim pas tre javëve të vështira dhe do të ringjallte besimin në grup, që ka nevojë për një rezultat pozitiv për të dalë nga ky moment i ngërçit. Edhe historia e përballjeve direkte luan në favor të verdhebluve.

Në sezonin e kaluar, Elbasani regjistroi tri fitore dhe një barazim ndaj Bylisit, duke grumbulluar dhjetë pikë nga dymbëdhjetë të mundshme, një bilanc që i jep moral skuadrës për ndeshjen e nesërme në “Elbasan Arena”. Në letër, shifrat janë në krah të elbasanasve, por këtë herë gjithçka do të varet nga sa do të arrijnë të përkthejnë dominimin në gola dhe pikë të plota përballë një rivali që gjithmonë di të jetë i rrezikshëm.


web
Grupi web