Pas aludimeve për shtatzëni, Melinda Ademi jep përgjigjen e saj
Vetëm pak javë pas fejesës me partnerin e saj, Granit Muhaxherin, këngëtarja e njohur Melinda Ademi është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë për një arsye që lidhet me jetën e saj personale.
Prej disa ditësh, rrjetet sociale dhe mediat online janë mbushur me aludime se Melinda mund të jetë në pritje të ëmbël. Zërat nisën pas një videoje që artistja publikoi në Instastory, ku shihej brenda në avion. Ndjekësit e saj vunë re barkun e dukshëm dhe menjëherë nisën komentet se këngëtarja mund të ishte shtatzënë.
Pas reagimeve të shumta dhe kuriozitetit që u përhap shpejt në rrjet, Melinda ka vendosur t’i japë fund të gjitha hamendësimeve me një përgjigje plot humor. Në një postim të ri, ajo ka ndarë një foto ku shfaqet me një gotë vere në dorë, duke shoqëruar imazhin me mbishkrimin:
“Nuk jam shtatzënë… ha kur jam e lumtur.”
Me këtë koment plot vetëironi, këngëtarja ka mohuar qartë lajmet për shtatzëni dhe njëkohësisht ka treguar se i merr me sportivitet lajmet që qarkullojnë për të. Postimi i saj është pritur me shumë reagime pozitive nga ndjekësit, të cilët e kanë komplimentuar për mënyrën e thjeshtë dhe me humor me të cilën i ka mbyllur thashethemet.