Raporti i OSBE/ODIHR, Fatos Lubonja: Shqipëria kontrollohet nga partia-shtet!
Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka komentuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se dokumenti i publikuar sot nxjerr në pah dominimin e një “partie-shtet” që kontrollon institucionet dhe përdor pushtetin për avantazh elektoral.
Sipas Lubonjës, raporti i ODIHR pasqyron qartë problematikat thelbësore që e deformojnë garën zgjedhore në Shqipëri:
“Përdorimi i administratës, presioni mbi punonjësit publikë, përdorimi i parave të buxhetit, faljet e gjobave dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar – të gjitha këto e prishin barazinë e garës.”
Ai theksoi se problemi nuk qëndron te Kodi Zgjedhor, por te mënyra se si pushteti politik e përdor sistemin në interes të vet.
“Nuk është më çështje kodi. Edhe me këtë kod, Rama pati avantazh, pasi hoqi koalicionet. Por thelbi është se pushteti e përdor çdo mekanizëm për të ruajtur kontrollin.”
Lubonja shtoi se deformimi i zgjedhjeve nuk ndodh në mënyrë të barabartë midis forcave politike:
“Kemi një parti që është shndërruar në shtet. Kjo parti kontrollon gjithçka dhe ka arritur të marrë 83 deputetë në mandatin e katërt, këtu është problemi.”
Sipas tij, Partia Socialiste mban përgjegjësinë kryesore për gjendjen aktuale, ndërsa raporti i OSBE/ODIHR, ndonëse e përmend këtë dominim, “nuk e pasqyron në shkallën reale të problemit”.
Analisti përfundoi se demokracia shqiptare po zbehet për shkak të mungesës së konkurrencës së ndershme dhe të barabartë, duke theksuar se “kur një parti kontrollon shtetin, zgjedhjet humbasin kuptimin e tyre.”
