Fri, Oct 24, 2025

Balluku nën hetim nga SPAK, komentuesit ironizojnë udhëtimin e saj në Zvicër: Lëri porosi Ben Tigrit të të gjejë ndonjë apartament me qira andej, do të të duhet dhe ty

  • PublishedOctober 24, 2025

Pak orë pasi u publikua lajmi se është marrë nën hetim nga SPAK, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është shfaqur në rrjetet e saj sociale gjatë një udhëtimi me tren në Zvicër.

Në një video të publikuar në profilin e saj, Balluku shihet e qeshur teksa udhëton nga Zyrihu drejt Bernës, ndërsa flet për projekte dhe investime të reja në infrastrukturën hekurudhore shqiptare, por në postimin e saj nuk munguan komentet që i kujtonin zhvillimet e fundit me SPAK-un.

Disa nga ndjekësit e kanë krahasuar situatën dhe udhëtimin e saj me rastin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati dhe prej kohësh jeton në Zvicër.

“Lëri porosi Ben Tigrit të të gjejë ndonjë apartament me qera andej se do të duhet dhe ty me sa duket”, ka shkruar një nga komentuesit, ndërsa një tjetër e ka ironizuar duke i thënë: “Rri andej me Tigrin, të të japë ndonjë këshillë se ka eksperiencë”.

“Paske shku dhe ti tek Ahmetaj”, “Nesër je e ftume në SPAK”, “Ke marrë vesh gjë se çfarë ka gatuar SPAK-u për drekë këtu në Shqipëri”, janë disa nga komentet e tjera që qytetarët shqiptarë i kanë drejtuar Ballukut.

“Kanë dalë ca lajme në Shqipëri, a ke dijeni?”, “Vollga Durrës a e kanë çuar SPAK-un në Bernë. Hap sytë andej”, “Shkove të bësh vend andej. Tako tigrin shko shijoji milionat”, kanë shkruar disa të tjerë.

komente balluku postim spak i pandehur