Emri i Belinda Ballukut u regjistrua si person nen hetim nga SPAK, reagon Prokuroria e Posaçme
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar reagoi në lidhje me lajmin se emri i Belinda Ballukut është regjistruar si person nën hetim. Për News24, SPAK u shpreh e rezervuar të japë informacione, duke thënë se “Prokuroria e Posaçme nuk ka asgjë për të ndarë me median”.
Gazetarja Klodiana Lala, raportoi sot se Prokuroria e Posaçme regjistron emrin e zëvendës Kryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes se barazisë në tendera.
Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas burimeve është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.
Burime të besuara bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar zonjës Balluku në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në fletëthirrje zonjës Balluku i bëhet me dije se në momentin e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka në raste të tilla lajmëron se mund t’i komunikohet akuzë penale. Kjo nënkupton ndërkohë që me gjasë SPAK do ta ushtrojë ndjekjen penale ndaj numrit dy të mazhorancës pa masë sigurie e në këtë mënyrë prokurorët e posaçëm shmangin edhe kërkesën për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë.
SPAK është tejet i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.
Nuk dihet nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe në këtë pozitë të re përballë drejtësisë do të vijojë apo jo të qëndrojë në postet qeveritare apo do zgjedhë të largohet me dorëheqje e ta zhvillojë betejën e saj pa mburojën e Partisë Socialiste.
Belinda Balluku e ushtron detyrën e Zv.Kryeministres që prej korrikut 2022. Ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Balluku ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.
