Fatmir Mediu: Për Zgjedhoren do kemi diskutim në grup me Berishën, na janë hequr 9 deputetë me këtë formulë
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mendon se ky Kod Zgjedhor është i gabuar dhe reforma duhet të bëhet e menduar mirë, pasi aktualisht procesi elektoral manipulohet nga pushteti.
Ai nënvizoi se deri tani kjo formulë i ka hequr opozitës të paktën 9 mandate deputetësh dhe duhet të ndryshojë, por diskutimet të bëhen me qëndrim të unifikuar të opozitës.
“Na janë hequr 9 deputetë me këtë formulë. Lojë e pisët kur rezultatet parashikohen në tavolinë. Reforma zgjedhore deri tani ka qenë e kontrolluar nga pushteti dhe kjo duhet të ndryshojë, duhet bërë presioni i duhur palës tjetër për ta sjellë aty ku duhet, në funksionalitet. Procesi elektoral dhe zgjedhor është i manipuluar dhe i kontrolluar nga pushteti”, u shpreh deputeti për News 24.
Ai foli edhe për mosfunksionimin e Konfederatës së Opozitës, e propozuar nga ai dhe kreu i Agrarëve, Agron Duka. Por i qëndroi mendimit se Konfederata është shumë e nevojshme.
“Konfederata e opozitës është e nevojshme. E propozuam unë dhe zoti Agron Duka, qëllimi ishte bashkimi dhe unifikimi i opozitës. U bëmë thirrje dhe drejtuesve të partive të vogla, i thamë edhe zotit Shehaj dhe të tjerëve që hajdeni të diskutojmë dhe të arrijmë një dakordësi. Funksionoi për pak kohë dhe më pas jo. Nuk funksionoi në nivel lokal”, shpjegoi ligjvënësi.
Mediu shpjegoi se Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk ka shumë të rëndësishme votën, por bashkimin opozitar, për ta detyruar dhe presionuar mazhorancën të vijë tek kërkesat e opozitës.
Ai shpjegoi se do të kishte diskutime në grup, e këtë ia kishte konfirmuar edhe kreu i PD-së, Sali Berisha.
“Këto dinamika na kanë çuar ku na kanë çuar. Se dija këtë. Duhej të ishim në dijeni. Këtu nuk është çështja se sa numra çon PD, por se sa logjikë çedon opozita në këtë tryezë. Unë marr pjesë në diskutimet aktive opozitare për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në këtë pikëpamje s’më thotë dot njeri nëse; je apo jo me PD. Opozita duhet ta çojë këtë çështje në anën formale. Ne ramë dakord me zotin Berisha, sot fola me të, që do të kemi një takim në grup për Reformën Zgjedhore. Opozita duhet të jetë e unifikuar me qëndrimin e vetë. Ajo që duhet të luftojmë është që të kthehemi te ideja e koalicioneve”, tha ai.
“Ne kemi të njëjtën qasje si PD dhe partitë e tjera opozitare, jemi në mbështetje të plotë të tyre”, përfundoi deputeti.
