Fri, Oct 24, 2025

Nga Big Brother VIP në bamirësi: G-Bani rinovon banesa për familjet shqiptare

  • PublishedOctober 24, 2025

Ish-banori i “Big Brother VIP Albania”, G-Bani, ka treguar një anë të re të tij duke nisur një iniciativë humanitare për të ndihmuar familjet shqiptare që jetojnë në kushte të vështira. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, artisti ka ndarë pamje nga gjendja e rënduar e një familjeje dhe ka bërë të ditur se do të angazhohet personalisht për të rinovuar plotësisht banesën e tyre. Iniciativa ka marrë menjëherë vëmendjen dhe përkrahjen e publikut.

Pas publikimit të videos, G-Bani tregoi se ishte përmbytur nga mesazhe në “inbox” nga persona që kërkonin ndihmë për të afërmit e tyre. “Nuk e kam ndjerë kurrë më shumë se tani se sa shumë njerëz kanë nevojë për mbështetje,” shkroi ai.

Artisti bëri apel për ndihmë ndaj ndërtuesve dhe bizneseve që mund të kontribuojnë për përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve në skamje. Ai theksoi se ndërtuesi që fillimisht e mbështeti nuk mund të përballojë të gjitha rastet dhe u lut për bashkëpunim të mëtejshëm: “Jam i gatshëm t’i lidh palët për të shmangur çdo hije dyshimi për keqpërdorim të bamirësisë.”

G-Bani gjithashtu nënvizoi se dëshiron të përdorë popullaritetin e tij për qëllime të mira, pavarësisht mungesës së mbështetjes financiare të madhe: “Po të kisha koncerte të mjaftueshme, do ta bëja vetë,” tha ai. Megjithatë, pavarësisht periudhës jo të fortë profesionalisht, artisti synon të lërë pas një gjurmë të vlefshme për njerëzit në nevojë.