Fri, Oct 24, 2025

Prej 10 ditësh në grevë, naftëtarët e Marinzës kërkojnë që shteti të mos heshtë

  • PublishedOctober 24, 2025

Naftëtarët e Marinzës, punonjës të kompanisë Bankers Petroleum, ndodhen tashmë në ditën e tyre të 10-të të grevës së urisë, nëpërmjet të cilës ata kërkojnë pagat e prapambetura dhe rritjen e tyre.

Të premten*, përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Hidrokarbureve, të mbështetur nga aktivistë të shoqërisë civile protestuan përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë duke kërkuar reagim për situatën e naftëtarëve.

“Gjendja shëndetësore e grevistëve po shkon nga ora në orë drejt përkeqësimit duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e tyre”, tha Ilia Kondi, drejtues i Unionit të Sindikatave.

“Ata po luftojnë për paga dinjitoze. Nuk mundet që qeveritarët të kenë 10-fishin e pagave të tyre, ndërkohë ata të diskutojnë minimumin jetik, pra janë në pragun e minimumit jetik”, vijoi Kondi gjatë fjalës së tij në protestën e naftëtarëve.

Kompania “Bankers Petroleum”, e cila shfrytëzon fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës prej më shumë se 20 vitesh, gjendet sot nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për ngritjen e një skeme mashtrimi. Prokuroria akuzon drejtuesit dhe ish-drejtuesit e kompanisë se i kanë shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Nëpërmjet grevës së urisë, naftëtarët kërkojnë paga dinjitoze, nëpërmjet rritjes transparente të fondit të pagave nga kompania me 18%, dhe shpërndarjen e tij tek pagat e ulëta që ata kanë aktualisht.

Juristi Gentian Serjani i tha BIRN se është e patolerueshme që institucionet shqiptare nuk po reagojnë në mbrotje të naftëtarëve dhe ndaj një kompanie që abuzon me ata dhe pronën e përbashkët.

“Kërkesa jonë ishte që Ministria përgjegjëse të mos heshtë, por të marrë rolin e ndërmjetësueses pa u përkeqësuar akoma më shumë shendeti dhe jeta e naftëtarëve që janë në grevë urie”, tha Serjani.

Edhe Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” u shpreh se kushtet në të cilat punonin naftëtarët ishin tejet të vështira krahasuar me pagën që ato marrin.

“Në një kohë kur Bankers ka zhdukur miliarda lekë nga pasuria e shqiptarëve, punëtorët e kësaj kompanie janë në grevë urie për pagat e prapambetura”, tha Xhemollari.

“Këta punëtorë që shkojnë në rafineritë e naftës marrin një pagë aq sa duhet të merrnin dëmshpërblim për helmin që kalon në gjakun e tyre për shkak të punës së vështirë,” përfundoi ai.

*Shkrimi u amendua për të saktësuar se protesta u zhvillua nga përfaqësues të Sindikatës dhe organizatave të shoqërisë civile.