Fri, Oct 24, 2025

SHBA emëron diplomatin e lartë me përvojë për mbikëqyrjen e armëpushimit në Gaza

  • PublishedOctober 24, 2025

Shtetet e Bashkuara kanë emëruar një diplomat me përvojë, Steven Fagin, si drejtues politik të qendrës së re për monitorimin e armëpushimit në Rripin e Gazës, në përpjekje për të lehtësuar përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, Fagin do të punojë në bashkëpunim me gjeneralin Patrick Frank, i cili tashmë është caktuar si përgjegjës ushtarak për zbatimin e armëpushimit që është në fuqi që prej 10 tetorit.

Qendra e përbashkët Politiko-Ushtarake e Koordinimit (CMCC) është ngritur këtë javë në Kiryat Gat, në jug të Izraelit, me detyrë të monitorojë respektimin e armëpushimit dhe të raportojë çdo shkelje të mundshme, si dhe të ndjekë shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gazën e shkatërruar nga lufta.

200 ushtarë amerikanë në terren

Rreth 200 ushtarë amerikanë janë vendosur në një bazë të përkohshme në Kiryat Gat, ku punojnë së bashku me forca izraelite, përfaqësues nga vende evropiane, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania, si dhe personel të OKB-së dhe organizatave humanitare.

Qendra është ngritur nën drejtimin e Komanandës Qendrore të Forcave të Armatosura të SHBA (CENTCOM), me gjeneralin Frank në krye.
Ministri amerikan i Jashtëm, Marco Rubio, e vizitoi sot këtë strukturë, duke e cilësuar një “operacion historik për paqen në Lindjen e Mesme”.

“Do të ketë sfida dhe luhatje, por kemi arsye të jemi optimistë për progresin e bërë deri tani”,
— deklaroi Rubio, duke shtuar se më shumë diplomatë amerikanë do t’i bashkohen stafit ushtarak në terren.

Sipas Departamentit të Shtetit, ambasadori Fagin do të shërbejë si drejtues politik i CMCC, që mbështet zbatimin e planit të paqes me 20 pika të presidentit amerikan për Gazën.

Ai ka shërbyer gjithashtu për disa muaj si diplomat i lartë amerikan në Bagdad, duke kombinuar detyrat me ambasadën në Jemen, ndërsa bazën e tij e mban në Arabinë Saudite.