Fri, Oct 24, 2025

Tabaku: Qeveria mburret me suficit, por shqiptarët s’mbushin dot shportën! Taksat po shkojnë për tendera korruptivë

  • PublishedOctober 24, 2025

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me një video në rrjetet sociale duke denoncuar ndryshimet e fundit në buxhetin e shtetit, që sipas saj tregojnë jo forcë ekonomike, por një strategji të qëllimshme manipulimi të opinionit publik.

“Suficiti buxhetor që shpall qeveria nuk është shenjë e mirëmenaxhimit, por tregues i një krize që po fshihet pas shifrave,” deklaron Tabaku, duke theksuar se ndërkohë që familjet shqiptare luftojnë për mbijetesë, qeveria mban paratë e mbledhura nga taksat e qytetarëve pa i kthyer ato në shërbime dhe mbështetje reale.

Ajo thekson se sektorë jetikë për ekonominë si bujqësia dhe industria fason janë në rënie të vazhdueshme, ndërsa qeveria ka ulur fondet për bujqësinë me 6% dhe për pushtetin lokal me 10%, duke paralizuar investimet e vogla dhe shërbimet publike.

“Qeveria ato para që i mbledh nga taksat i përdor për tendera korruptivë apo për bonuse elektorale për pensionistët sa herë që ka zgjedhje,” nënvizon deputetja demokrate.

Sipas saj, në vend të një buxheti që përmbush nevojat reale të qytetarëve, Rama ka zgjedhur të vazhdojë për të 13-in vit radhazi të njëjtën mendësi ekonomike që ka sjellë varfëri, rënie prodhimi dhe rritje çmimesh.

“Shqipëria ka nevojë për një buxhet që ndihmon familjet, jo për një propagandë që fsheh krizat me numra,” përfundon Tabaku, duke bërë thirrje për politika që mbështesin shtresat e mesme, prodhuesit vendas dhe fermerët, ata që sot ndihen më të braktisurit nga qeveria.