Fri, Oct 24, 2025

Trump intensifikon presionin ndaj Venezuelës, SHBA dërgon aeroplanmbajtësen “Gerald R. Ford” drejt Karaibeve

  • PublishedOctober 24, 2025

Ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth, ka urdhëruar grupin e goditjes së aeroplanmbajtëses “Gerald R. Ford”, e cila ndodhej në Evropë, të zhvendoset në rajonin e Karaibeve, mes një grumbullimi të madh të forcave ushtarake amerikane në atë zonë.

Sipas zëdhënësit të Pentagonit, Sean Parnell, që njoftoi lajmin përmes një postimi në X (ish-Twitter), grupi detar dhe forca ajrore që e shoqëron do të dërgohen për të shkatërruar organizatat ndërkombëtare të krimit dhe për të luftuar narko-terrorizmin.

Aeroplanmbajtësja “Ford” kishte ndaluar në portin e Splitit, në Kroaci, më 21 tetor, çka do të thotë se ndodhet rreth 5,000 milje larg Karaibeve dhe do t’i duhen disa ditë për të arritur në zonën e operacioneve.

Ky mobilizim masiv ushtarak ka ngjallur pikëpyetje për qëllimet e administratës Trump në rajon. Zyrtarisht, Shtëpia e Bardhë thotë se prania ushtarake është pjesë e fushatës kundër trafikut të drogës, por raportimet e CNN sugjerojnë se presidenti Donald Trump po shqyrton edhe goditje të mundshme brenda territorit të Venezuelës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për dobësimin e regjimit të Nicolás Maduro-s.

“Gerald R. Ford” konsiderohet aeroplanmbajtësja më e madhe dhe më moderne në botë, e përshkruar nga Marina amerikane si “anija më e fuqishme luftarake e ndërtuar ndonjëherë”.

Më herët, Hegseth konfirmoi se forcat amerikane kishin kryer një sulm natën ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Karaibe, duke vrarë gjashtë persona. Sipas tij, ky është sulmi i dhjetë që nga fillimi i fushatës muajin e kaluar, ndërsa numri i përgjithshëm i të vrarëve ka arritur në 43.