Fri, Oct 24, 2025

Zakk Wylde flet për ditët e fundit të Ozzy Osbourne: Nuk e dija që ajo do të ishte hera jonë e fundit

  • PublishedOctober 24, 2025

Kitaristi Zakk Wylde ka treguar detaje prekëse për muajt e fundit të jetës së Ozzy Osbourne. Në një intervistë për “Loudwire” më 23 tetor, ai foli për koncertin e fundit të legjendës së “Black Sabbath”, me titull “Back to the Beginning”, që u mbajt më 5 korrik në Birmingham. Vetëm 17 ditë më vonë, më 22 korrik, Ozzy Osbourne ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare.

Sipas Wylde, bashkëshortja e Ozzy-t, Sharon Osbourne, kishte shpresuar që ky koncert do t’i jepte atij forcë dhe motivim për të vazhduar. “I dërgova mesazh Sharon-it dhe i thashë: ‘Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe Ozzy të marrë energji.’ Ajo m’u përgjigj: ‘E shpresoj.’”, tregoi muzikanti.

Wylde shtoi se pas performancës, ku luajtën klasiket si “Mama I’m Coming Home” dhe “Crazy Train”, nuk i shkonte ndër mend se ajo do të ishte hera e fundit që do ta shihte mikun e tij. “Mendoja se do ta shihnim sërish kur të përgatiste ndonjë album të ri. Kurrë s’më shkoi mendja se ajo do të ishte lamtumira jonë.”

Në një intervistë tjetër për “Guitar World” më 29 korrik, Wylde zbuloi mesazhin e fundit që mori nga Ozzy: “Zakki, më fal, ishte rrëmujë prapa skenës. S’të pashë. Faleminderit për gjithçka.”

Ozzy Osbourne kishte rrëfyer që në vitin 2020 se vuante nga sëmundja e Parkinsonit që prej vitit 2003. Në dokumentarin “No Escape from Now” të Paramount+ (7 tetor), ai i thotë Sharon-it: “Pres të mbarojë ky koncert, të var mikrofonin dhe të kaloj pak kohë me ty. Pas kësaj, jemi të lirë.”