Sat, Oct 25, 2025

Balluku në hetim nga SPAK, Salianji: Ka ekzaltim brenda PS-së! Të shkohet në zgjedhje

  • PublishedOctober 25, 2025

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke thënë se rasti tregon krizën e brendshme në Partinë Socialiste dhe mënyrën si Edi Rama po përdor njerëzit e vet për të mbajtur pushtetin.

Sipas tij, nëse hetimet ndaj Ballukut janë të vërteta, ato dëmtojnë rëndë qeverinë dhe vetë kryeministrin, i cili, sipas Salianjit, duhet të japë dorëheqjen.

Salianji shtoi se rasti i Ballukut është simptomë e një sistemi ku frika dhe rivalitetet e brendshme mbizotërojnë, duke krahasuar situatën me “modelet autokratike” të vendeve si Vietnami apo Kina.

Ervin Salianji: Ky rast tregon, atë që e keni parë, një ekzaltim për këtë lajm brenda PS – siç po duket pra, apo që Edi Rama është kthyer si ato grirëset e mishit që ky grin jetë njerëzore për të mbajtur pushtetin… Dhe ekzaltimi në PS për këtë rast, po ta shohësh edhe tek disa media që janë ekstremisht mbështetëse të Edi Ramës që kanë një lloj ekzaltimi për këtë rast, tregon që vetë PS mund të jetë në këtë lloj zilie dhe xhelozie.

Nuk ka rëndësi a do të shkojë Balluku apo jo në SPAK, nëse ka ndodhur është një fakt që e dëmton rëndë qeverinë dhe që duhet të bëjë që Rama të dorëhiqet. Fakti qëndron, nëse njeriu më i pushtetshëm që është Edi Rama, edhe në rastin e Ballukut është Rama që merret nën hetim në fakt dhe duhet të japë dorëheqjen e t’i hapë rrugën PS-së për të ndryshuar partinë, reformatuar dhe padiskutim t’i hapë rrugë zgjedhjeve.

Unë flas se si duhet të jetë dhe si duhet të funksionojë një demokraci. Kur ndodhin këto raste, kryeministri mban përgjegjësi dhe jep dorëheqje. Në Shqipëri, fakti që Edi Rama qëndron me forcë pa pyetur për asgjë, tregon atë që e kemi thënë, jemi në autokraci. E dini cilat janë vendet që kanë më shumë arrestime të personave pas liderit, qoftë edhe të niveleve të larta? Vietnami, Kina, Kamboxhia, Butani. Kjo nuk tregon nivelin e demokracisë, por nivelin e lartë të ashpërsisë që ka autokrati dhe të frikës së cilitdo individ që ka afër se në një moment mund ta rrezojë nga pushteti. Edhe ky rast tregon se Edi Rama si autokrat po provon të gjithë elementet për të shmangur përgjegjësinë nga ai. Por në fakt përgjegjësia është e Edi Ramës.