Sat, Oct 25, 2025

“Balluku, simboli i korrupsionit të institucionalizuar! Bëri presion dhe shantazh në zgjedhje”- Klevis Balliu: Nga “të vjedhim më bukur” te “të vjedhim si Bela”

  • PublishedOctober 25, 2025

Deputet demokrat Klevis Balliu ka reaguar sërish në rrjete sociale, lidhur me raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, duke e lidhur me marrjen në hetim të zv.kryeministres Belinda Balluku nga ana e SPAK. 

Balliu tha se Shqipëria po rrëshqet drejt modelit të partisë-shtet, duke e krahasuar situatën aktuale me periudhat e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

Ai theksoi se Belinda Balluku përfaqëson më qartë këtë sistem, pasi, sipas tij, ka përdorur administratën publike për qëllime elektorale dhe politike të Partisë Socialiste.

Ai akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar dhe për korrupsion të institucionalizuar, duke thënë se “Balluku është simboli i këtij modeli të kalbëzuar”.

Në fund, Balliu ironizoi situatën brenda mazhorancës, duke thënë se në korridoret e pushtetit “nuk thuhet më të vjedhim më bukur, por të vjedhim si Bela”.


Postimi i Klevis Balliut: 

**Nga “të vjedhim më bukur” te “të vjedhim si Bela”

Raporti i OSBE-ODIHR si pasqyrë e sistemit të Belinda Ballukut**

Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit në Shqipëri përmban një nga konstatimet më të rënda të dekadës së fundit:

fshirjen e kufirit midis partisë dhe shtetit.

Ky konstatim është dëshmi se Shqipëria ka rrëshqitur përfundimisht drejt modelit të partisë-shtet – një realitet që historia jonë e ka njohur vetëm në periudhat e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, dhe që sot është ringjallur në formën e tij bashkëkohore nën drejtimin e Edi Ramës.

Një ilustrim i përsosur i këtij modeli është Belinda Balluku – pasqyra më besnike e mënyrës sesi pushteti e përdor shtetin si instrument fushate, ndikimi dhe kontrolli.

Me një agresivitet politik të pashoq, Balluku mobilizoi të gjithë aparatin administrativ në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste.

Punonjësit publikë u përballën me shantazhe: ose bindje politike, ose largim nga puna; qytetarët me presione mbi legalizimet dhe shërbimet publike, ndërsa klima e frikës dhe varësisë zëvendësoi çdo ndjenjë lirie qytetare.

Sa për lidhjet me krimin e organizuar, kjo qeveri i ka integruar ato në vetë strukturën e saj.

Është e pamundur që personi që administron një pjesë kaq të madhe të buxhetit të shtetit të mos jetë pjesë e zinxhirit të aferave që përbëjnë arkitekturën e korrupsionit qeveritar.

Në vetvete, Belinda Balluku është simboli i korrupsionit të institucionalizuar.

Në korridoret e Rilindjes, tashmë nuk thuhet më “të vjedhim më bukur”, por me humor të zi politik është bërë shprehje e përditshme:

Ironia e historisë është therëse: njësoj si gjyshi i saj dikur, duket se edhe mbesa do të përfundojë në burg nga partia e vet.

Një tjetër dëshmi kjo se Shqipëria ndodhet sot nën një regjim që po i ngjan përherë e më shumë atij të Enver Hoxhës – një sistem ku partia është ligj, shteti është mjet, dhe qytetari është peng.