Sat, Oct 25, 2025

“Drejtësia ka punën e saj”- Balluku nën hetim nga SPAK, Berisha komenton qëndrimin e Ramës: Kanë ndarë paratë bashkë!

  • PublishedOctober 25, 2025

Kreu i PD-se, Sali Berisha ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për zëvendësen e tij, Belinda Ballukun, e cila eshte marrë në hetim nga SPAK. Kreu i qeverisë tha për DW se “drejtësia ka punën e saj”. Ndërsa Sali Berisha u shpreh se ‘Rama nuk ka koment, sepse ka ndarë paratë me Ballukun’.

“Nuk ka asnjë koment sepse kanë ndarë paratë bashkë!!”, shkroi Sali Berisha teksa postoi videon e Ramës për DW.

Për DW, kreu i qeverisë u shpreh se “deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm”.

“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast. Ne kemi punën tonë, drejtësia punën e vet dhe deri kur cështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politike dhe e mediave që i shërbejnë politikës”, tha Rama.

Balluku nen hetim

Nje dite me pare, gazetarja Klodiana Lala raportoi se SPAK ka regjistruar emrin e Belinda Ballukut si person nën hetim.

Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas burimeve është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.

Burime të besuara bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar zonjës Balluku në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

SPAK është tejet i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.

Nuk dihet nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe në këtë pozitë të re përballë drejtësisë do të vijojë apo jo të qëndrojë në postet qeveritare apo do zgjedhë të largohet me dorëheqje e ta zhvillojë betejën e saj pa mburojën e Partisë Socialiste.

Belinda Balluku e ushtron detyrën e Zv.Kryeministres që prej korrikut 2022. Ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Balluku ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.