Kërkoheshin në Greqi dhe Zvicër, 3 shqiptarë të arrestuar në Kakavijë e Janinë! Ja për çfarë akuzohen
Policia greke ka vënë në pranga 3 shtetas shqiptarë, të kërkuar në Greqi e Zvicër.
Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në dy raste të ndryshme, nga oficerë policie të Departamentit të Kontrollit të Pasaportave të Kakavijës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë së Pogonit, janë arrestuar 2 shqiptarë.
Ndaj të parit pritej dënimi nga Gjykata e Apelit për Krime të Maqedonisë Perëndimore, me një dënim me 1 vit burg dhe ndaj të dytit nga Gjykata e Kundërvajtjeve të Follorinës, me një gjobë prej 1500 eurosh, përkatësisht për shkelje të legjislacionit për të huajt, njoftuan autoritetet zyrtare.
Në Janinë, nga oficerët e policisë të Nëndrejtorit të Ndjekjes dhe Hetimit të Krimeve, u arrestuar një tjetër shqiptar.
Në veçanti, siç u vërtetua gjatë kontrollit policor, ndaj tij ishte në pritje një urdhër arresti evropian nga autoritetet zvicerane, për shkelje të ligjeve për drogën, të cilat sipas ligjit zviceran dënohen me një dënim maksimal prej 20 vitesh burgim.
I arrestuari është shoqëruar në prokurorinë përkatëse, në pritje të procedurave për ekstradim.
