Kuvendi i Kosovës zhvillon sot seancën plenare për votimin e Qeverisë së re, a i ka Albin Kurti 61 votat e nevojshme?!
Albin Kurti do ta paraqesë para deputetëve të dielën, përbërjen e kabinetit qeveritar që synon ta ndërtojë, e edhe programin e qeverisë. Por, është mandatari i parë për kryeministër që del të “matet” në seancë, pa e siguruar paraprakisht shumicën.
Lëvizjes Vetëvendosje së cilës i prin Kurti, i duhen së paku edhe pesë vota që të sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për votimin e suksesshëm të Qeverisë së re.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Përkrahje ka edhe prej shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiçit.
Një ditë para mbajtjes së seancës për formimin e Qeverisë së re, mandatari për kryeministër nuk ka treguar nëse i ka siguruar votat shumicën e votave në Kuvendin që përbëhet prej 120 deputetësh. Pas një aktiviteti që ka zhvilluar gjatë ditës, ai është pyetur nga gazetarët për marrëveshje të mundshme koalicioni, por nuk është përgjigjur.
Seanca plenare është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00.
Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar mundësinë e bisedimeve me subjektin e dytë për kah fuqia e votës, Partinë Demokratike (PDK), dhe e lënë derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike (LDK) dhe me Nismën Socialdemokrate.
Por, në LDK e kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi. E këtë e ka konfirmuar sërish të shtunën deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami.
“Mua nuk më ka kontaktuar askush nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa anëtarët e tjerë të partisë nuk i kam pyetur. Por qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar”, ka thënë Bajrami, një prej kritikeve më të mëdha të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
E, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, ka konfirmuar këtë javë se nuk do të votojë për Qeverinë Kurti 3. Ai ka qenë ndër politikanët që ka negociuar me Kurtin për marrëveshje koalicioni, por sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, kërkesa e tij ka qenë e papranueshme. Limaj, partia e të cilit ka tre deputetë në këtë legjislaturë, nuk ka kërkuar hise në qeveri, por vetëm postin e kryeparlamentarit. Ndërkaq, Vetëvendosja ia ka ofruar atë të nënkryetarit të Kuvendit dhe dy pozita zëvendësministri.
