Sun, Oct 26, 2025

SHBA dhe Brazili nisin bisedimet për tarifat dhe sanksionet, Trump-Lula shtrëngojnë duart: Ja për çfarë u dakordësuam!

  • PublishedOctober 26, 2025

Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, tha se pati një takim pozitiv me homologun e tij amerikan Donald Trump, në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Malajzi.

“Ne ramë dakord që ekipet tona të takohen menjëherë për të çuar përpara kërkimin e zgjidhjeve për tarifat dhe sanksionet kundër autoriteteve braziliane”, tha Lula në një mesazh në platformën X.

Takimi kishte për qëllim lehtësimin e tensioneve midis Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat janë tensionuar që kur SHBA-të rritën tarifat për importet amerikane nga 10% në 50% në fillim të gushtit.

Trump e kishte lidhur rritjen e tarifave me atë që ai e quajti një “gjueti shtrigash” kundër ish-presidentit të vendit të Amerikës së Jugut, Jair Bolsonaro.

Qeveria e SHBA-së ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj një numri zyrtarësh brazilianë, përfshirë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes, i cili kryesoi gjyqin që çoi në dënimin e Bolsonaros për tentativë grushti shteti.

Përpara takimit të së dielës, Trump kishte thënë se mund të arrinte marrëveshje me Lulën.

“Mendoj se do të jemi në gjendje të bëjmë disa marrëveshje shumë të mira për të dy vendet”, tha Trump.

Lula e kishte quajtur rritjen e tarifave “një gabim”, duke përmendur suficitin tregtar të SHBA-së me Brazilin prej 410 miliardë dollarësh gjatë 15 viteve të fundit.