Vjedhje e bizhuterive në Luvër, policia arreston dy persona të dyshuar
Dy të dyshuar janë arrestuar për vjedhjen e xhevahireve të çmuara nga muzeu i Luvrit në Paris, raportojnë mediat franceze.
Sipas gazetës Le Parisien, të arrestuarit janë me origjinë nga periferia e Seine-Saint-Denis, dhe njëri prej tyre po përgatitej të udhëtonte në një fluturim nga Aeroporti Charles de Gaulle.
Artikuj me vlerë të çmuar u vodhën nga muzeu më i vizituar në botë të dielën e kaluar, kur katër hajdutë me vegla elektrike hynë me forcë në ndërtesë në mes të ditës.
Ministri i Drejtësisë i Francës ka pranuar se protokollet e sigurisë “dështuan”, duke e lënë vendin me një “imazh të tmerrshëm”.
Sipas mediave franceze, të dyshuarit, të cilët njihen nga policia për vjedhje të mëparshme, u arrestuan të shtunën në mbrëmje.
Policia ka marrë përsipër çështjen dhe mund t’i marrë në pyetje deri në 96 orë. Banda mbërriti në muze në orën lokale 09:3, pak pasi Luvri u hap për vizitorët.
Të dyshuarit u futën në Galerie d’Apollon (Galerinë e Apollonit), me një ashensor mekanik të montuar në automjet, nëpërmjet një ballkoni afër lumit Sena.
Dy nga hajdutët hynë brenda duke prerë dritaren me mjete elektrike. Pastaj kërcënuan rojet, të cilët evakuuan ambientet dhe prenë xhamin e dy vitrinave që përmbanin bizhuteri.
Policia informoi se hajdutët qëndruan brenda për katër minuta dhe u arratisën me dy skuterë që i prisnin jashtë në orën lokale 09:38.
Zyrtarët deklaruan se masat e sigurisë në institucionet kulturore të Francës janë shtrënguar.
