Zgjidhet kryetarja e LRE, Arian Galdini: Proçesi i kalimit lidershipit nga unë tek Kristina Nano, sjell nisjen e një epoke të re
LRE ka zgjedhur kryetaren e re. Arian Galdini është zëvendësuar në post nga Kristina Nano, e cila tashmë do të drejtojë Lëvizja e Re.
“Kristina Nano zgjidhet Kryetare e re e LRE”, shkruan Arian Galdini, duke shtuar se në këtë mënyrë nisi një epokë tjetër për partinë.
Ai shtoi se: “Ky proçes kalimi lidershipi nga Arian Galdini tek Kristina Nano, nuk ishte dekor i kalendarit, qe provë e asaj që Hannah Arendt e quante ‘e drejta për të filluar’, nataliteti i politikës, aftësia për të sjellë në botë diçka që nuk ka qenë kurrë më parë.”
Galdini shprehet se Kristina Nano është figura që e bën këtë kalim të duket i natyrshëm, duke theksuar se ajo vjen me një doktoraturë në Lidership në James Madison University.
Postimi i plotë:
Kristina Nano zgjidhet Kryetare e re e LRE!
Në kalendar, një numër, në memorien e përbashkët, një ngjarje që ripohon arsyen pse u nisëm.
Më 25 tetor 2025, u mblodh Kuvendi i LRE për të bërë dy gjëra që, në kuptimin e thellë, janë një e vetme, të shënojë pesëvjetorin e Lëvizjes Rinisje dhe të zgjedhë Kryetaren e re.
Sallës i pëlqente një qetësi e mirë.
Flamujt nuk u bënë perde, u bënë kornizë.
Në tryezë, jo premtime, por letra të bardha që prisnin të mbusheshin me besë.
Në mbrëmjen e 25 tetorit 2025 me shumicë dërrmuese, anëtarët e LRE i dhanë drejtimin e Lëvizjes Rinisje, Kristina Nanos.
Kështu fillon epoka e re e LRE-së.
Pesë vjet më parë, fjala u kthye në komunitet, sot komuniteti i jep fjalës një trajtë të re.
Ky proçes kalimi lidershipi nga Arian Galdini tek Kristina Nano, nuk ishte dekor i kalendarit, qe provë e asaj që Hannah Arendt e quante “e drejta për të filluar”, nataliteti i politikës, aftësia për të sjellë në botë diçka që nuk ka qenë kurrë më parë.
Rinisja nuk e ndërpret vazhdimësinë, i jep asaj një hap të ri.
Kjo është arsyeja pse shenjat e ditës lexohen më bindshëm se titujt e saj, prania e brezit të ri jo si dekor, por si përgjegjësi, kalimi i besës jo si etapë, por si marrëveshje e pjekur, një drejtim i ri, pa humbur dirigjimin e parimeve.
Kristina Nano është figura që e bën këtë kalim të duket i natyrshëm.
Ajo vjen me një doktoraturë në Lidership në James Madison University, atje ku arkitektura e lirisë mësohet si disiplinë e mendjes dhe e zemrës, jo si frazë.
Aty përvetësohet një e vërtetë themelore e kushtetutës mendore, institucionet e forta ndërtohen mbi parandalime të mençura, lidershipi i mirë rri te masat e brendshme.
Më herët, si ekonomiste me rezultate të shkëlqyera (bachelor dhe master shkencor në Turqi), ajo e lexoi numrin pa harruar njeriun, e pa peshoren e tregut pa humbur shijen e drejtësisë.
Këto dy brigje, dijen dhe shërbimin, te Kristina takohen pa përplasur njëra-tjetrën, kompetencë që nuk e ftoh zemrën, mirësi që nuk e dobëson standardin.
Arti i udhëheqjes, siç ka vënë në dukje James MacGregor Burns, nuk është thjesht aftësia për të projektuar vizion, por relacioni që rrit të tjerët ndërsa rrit edhe udhëheqësin.
Greenleaf e quajti këtë “shërbim”, të ecësh përpara vetëm aq sa u hap rrugë të tjerëve.
Heifetz shtoi dimensionin e adaptimit, t’i qëndrosh besnik qëllimit, duke ndryshuar mjetet kur rrethanat i kërkojnë.
Në këtë triadë, Kristina hyn si matje, ajo evokon rininë pa e shpërdoruar, e njeh rrezikun e fjalës së lehtë dhe pëlqen punën që peshohet, jo zhurmën që matet.
Kuvendi i pesëvjetorit na dha rast të shohim pas pa u kthyer mbrapa.
Ishin vite të stërvitjes në terr, në balta, në heshtje, por stina e durimit e bëri të mundur stinën e punës.
LRE u mësoi vetes dhe nesh se prindërimi është mënyrë e të menduarit publik, ta imagjinosh politikën me sytë e fëmijëve, të matësh çdo shërbim me ndershmërinë e shtëpisë.
Dalëzotësia u bë shprehje e përditshme, të mos e lësh njeriun vetëm, as kur nuk je dakord, as kur të kushton të rrish pranë.
Neoshqiptarizmi nuk mbeti libër në raft, u bë gramatikë e jetës, gjuhë e pastër nga respekti, kujtesë e gjallë si busull, kulturë që punon si kapital.
Kalimi nga Kryetari Themelues te Kryetarja e re dëshmon se LRE e ka kuptuar rrezikun e kryetarizimit po aq sa rrezikun e muzealizimit, as kulti i zyrës, as kulti i filmit të djeshëm.
Roli i themeluesit ruan busullën, roli i kryetares mban ritmin, njëri është kujtesa e gjallë e arsyes pse nisëm, tjetri është mendja e kthjellët e mënyrës si vazhdojmë.
Nuk janë dy diellë, janë dielli dhe ylli i mëngjesit që portretizojnë të njëjtin agim.
Kjo simetri e ndalon hovin e egos dhe i jep hapësirë institucionit të ndërgjegjes.
Në gjuhën e ekonomisë, Kristina sjell një theks që i ka munguar sferës publike, moraliteti si infrastrukturë e tregut.
Fitimi i shëndetshëm buron nga shërbimi, dinjiteti i punës është valuta e vetme që nuk zhvleftësohet nga ciklet e krizës, besimi është norma që ul koston e transaksioneve dhe rrit shpejtësinë e zhvillimit.
Dhe kjo s’është retorikë e bukur, është metodë.
Shoqëritë që e nderojnë fjalën, e përjashtojnë favoritizmin dhe e jetojnë rregullin si ritëm të përditshëm e jo si leksion të thatë, krijojnë mirëqenie që nuk shuhet me modat e ditës.
Ka edhe një kuptim më të thellë në këtë ditë. Ne, që folëm shpesh për arsimin si rritje të mendjes dhe për shtetin si kujdes i matur, e shohim te Kristina një urë reale, studiuese e lidershipit në një kulturë akademike serioze, ekonomiste e rritur në kërkesa të larta, grua e re që e bën barazinë të duket kompetencë para se të tingëllojë si slogan.
Kjo përngjason me një ëndërr të vjetër shqiptare, një mendje që përthith botën dhe një zemër që ruan vendin.
Aty ku këto dy horizonte takohen, politika nuk lodh më, fillon të ushqejë.
Për LRE-në, ky çast nuk është kurorë e një rruge, por pragu i një shtëpie që sapo e kemi mbaruar në themel.
Pragu nuk është as brenda, as jashtë, është vendi ku besa bëhet e dukshme.
Aty shkel sot Kristina Nano, në vijë të parë për të mbajtur gjallë ekologjinë e së vërtetës, qetësinë e gjuhës, rregullin e mirësisë.
Nuk na duhen më podiume që ngatërrojnë fjalën e lirë me fyerjen e lirë, as studio që argëtojnë cinizmin, na duhen laboratorë pjekurie ku e nesërmja përgatitet me kujdes.
Pesë vjet pas zanafillës, lëvizja e sheh veten si shkollë karakteri, vend ku përvoja nuk të mbyt, të rrit, ku kritika nuk të rrëzon, të kthjellon; ku suksesi nuk të deh, të detyron të jesh më i matur.
Këtë shkollë, sot, e drejton një vajzë e re me burime të thella, Kristina Nano, jo një fotografi e suksesshme, por një faqe e re.
LRE hyn në epokën ku arsimi rrit mendje, ekonomia rrit dinjitet, shteti rrit besim.
Jo me mrekulli të menjëhershme, por me metodën e asaj që bëhet mirë.
Në fundin e ditës, sërish besimi e mban fjalën.
Nuk ia dalim sepse zërat tanë bëhen më të mëdhenj, ia dalim sepse pesha e fjalës është e njëjtë edhe kur dritat fiken.
Zgjedhja e Kristina Nanos me shumicë dërrmuese nuk është thjesht lajm, është gjeometri shprese, një komunitet që e njeh melodinë e vet dhe ia dorëzon batonën një dirigjenteje që e di se muzika nuk i përket atij që e drejton, por atyre që e bëjnë bashkë.
Kjo është epoka e re që nis për LRE – Rinisja.
Kur epokat nisin me dritë, horizonti nuk premton mrekulli, premton qetësinë e gjërave që bëhen mirë.
