Kërcënimet ndaj Vokshit dhe Nokës nga banda e Xhabaftëve? Dumani: Dhuna ndaj deputetëve nuk është kompetencë e SPAK, çështja iu referua Prokurorisë së Tiranës!
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se rasti i dhunës dhe kërcënimit të deputetes Albana Vokshi gjatë zgjedhjeve të 11 majit në Vorë nga banda e pretenduar e Xhabaftëve, nuk ishte kompetencë e SPAK-ut dhe prej tyre ishte referuar për ndjekje të menjëhershme nga prokuroria e Tiranës.
Ai sqaroi në përgjigjen që i dha një prej pyetjeve të deputetit të PD-së, Flamur Noka, se rastet e dhunës nuk ishin denoncime apo vepra penale që hetoheshin nga Prokuroria e Posaçme.
“Për rastin e pyetjes që lidhet me kërcënimin e deputetes Albana Vokshi në Vorë ditën e zgjedhjeve, rasti ku ishit edhe ju, Prokurori i ngarkuar i SPAK, që mbulonte Tiranën, ka marrë kontakt direkt dhe është informuar për situatën. Kemi konstatuar se nuk është në kompetencën tonë Deputeti është subjekt i posaçëm, por jo për rastet e dhunës, pasi nuk ëhstë kompetenca jonë kjo vepër. E trajtuam edhe në Komision këtë çështje, me zotin Balliu. Kemi kontaktuar dhe referuar te Prokuroria e Tiranës, kemi vepruar menjëherë dhe e adresuam si rast, por nuk ishte rasti i ynë”, u përgjigj Dumani.
