Mon, Oct 27, 2025

“OSBE/ODIHR thanë se patronazhistët kanë bërë kërdinë në zgjedhje, kurse Prokuroria nuk e sheh këtë”- Gjekmarkaj-Çelës: Votimi ishte fasadë, u drejtua nga partia shtet!

  • PublishedOctober 27, 2025

Menjëherë pas fjalës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe përgjigjeve që ai u dha deputetëve të opozitës në Kuvend, është kaluar tek diskutimi 2 minitësh për çdo ligjvënës rreth komenteve mbi pyetjet e bëra dhe përgjigjet e marra.

I pari që foli ishte deputeti Agron Gjekmarkaj, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, që e cilësoi fjalimin e kryeprokurorit dhe përgjigjet e tij si një diskurs paradoksal. Ai tha se nuk u mor asnjë përgjigje për krimin elektoral, patronazhistët, ndërhyrjen e administratës dhe të partisë shtet në zgjedhje, e evidentuar edhe nga organizmat ndërkombëtarë.

“Diskursi i prokurorit të Përgjithshëm ishte një paradoks. Organet e huaja, në raportet e tyre, si OSBE/ODIHR, vënë re se patronazhistët kanë bërë kredinë në zgjedhje, kurse Prokuroria nuk e sheh këtë. Administrata publike, drejtorët ushtruan presion për votën në zgjedhje, kurse organet e drejtësisë së vendit tim për fat të keq nuk e shohin”, tha deputeti i PD-së.

Ai shtoi gjithashtu se edhe Task-Forca e ngritur me rastin e zgjedhjeve për të parandaluar krimin elektoral nuk funksionoi.

“U bë një takim para zgjedhjeve, u ngrit një Task-Forcë dhe nuk u bë asgjë, edhe pse pati një tmerr elektoral, pati patronazhim, një votim fasadë i drejtuar nga partia shtet”, përfundoi Gjekmarkaj.