Mon, Oct 27, 2025

Vllaznia “shpërblen” lojtarët pas triumfit me Tiranën, nga sot me sytë te Flamurtari

  • PublishedOctober 27, 2025

Duke parë që kalendari do të jetë i ngjeshur për Vllazninë dhe gjithë ekipet e tjera të Superiores gjatë kësaj jave, te kuqeblutë kanë vendosur që ta lënë skuadrën pushim gjatë fundjavës.

Kështu pas suksesit në shifrat 3-1 ndaj Tiranës në duelin e javës së 8-të që u zhvillua ditën e premte, tek 9 herë kampionët e vendit e shtuna dhe e diela kanë qenë pushim. Me skuadrën që nuk është angazhuar në ndonjë proces stërvitor e në këtë mënyrë është relaksuar para dy transfertave të radhës në kampionat. Kështu trajneri Martini së bashku me stafin teknik kanë vendosur që këto dy ditë të shërbejnë si rikuperim për skuadrën.

Me Vllazninë që do të zbresë në fushën e stërvitjes këtë të hënë, ku do të nisë përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat. Atë kundër Flamurtarit, e cila luhet të mërkurën në orën 17:00, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës. Duel që mbyll edhe fazën e parë, ku shkodranët nuk kërkojnë të ndalojnë në ritmin e fitoreve dhe marrjes së 3 pikëve. Gjatë këtyre ditëve po ashtu do të shikohet me kujdes edhe situata fizike e futbollistëve si Dros dhe Bismark, të cilët munguan kundër Tiranës.

Teksa Bismark është shndërruar në “mister” tek Vllaznia, me sulmuesin që mungon prej 1 muaji e gjysmë, nga një dëmtim që fillimisht dukej shumë i lehtë. Për shkodranët me shumë mundësi një mungesë do të vijojë të jetë Qato edhe në javën e ardhshme. E ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e plotë dh e gatshme për të dhënë kontributin e tyre në ndeshjen ndaj vlonjatëve.