ZYRTARE/ Juventus shkarkon Igor Tudor, zgjidhet pasuesi i kroatit
“Igor Tudor nuk është më trajner i Juventus”. Me anë të një deklarate për mediat, “Zonja e Vjetër” njoftoi shkarkimin e teknikut kroat. Së bashku me të largohet edhe pjesa tjetër e stafit teknik. Përcaktues në këtë vendim të fortë ishte ecuria shumë e dobët e “Zonjës së Vjetër” këtë periudhë, përballë Lazio-s pësuan humbjen e tretë radhazi, ndërsa kanë tetë ndeshje që nuk fitojnë.
Për momentin, deri në gjetjen e një trajneri të ri, drejtimin e Juves për takimin kundër Udieneses do ta marrë Massimo Brambilla, trajneri i Next Gen, një zgjedhje kjo brenda shtëpisë për t’i dhënë më shumë kohë drejtueseve të klubit për të gjetur profilin e duhur.
Emri i parë në listën e dëshirave është Luciano Spalletti, ky nuk është një sekret, por ideja që ish trajneri i Italisë të pasojë Tudor në Torino po përforcohet gjithnjë e më shumë. Një tjetër ish trajner i Italisë që po lakohet këtë periudhë është edhe Robero Mancini. Ndërkohë jashtë Italisë, këtë periudhë po lakohen emra si Edin Terzic, Xavi dhe Southgate.
()
