Tue, Oct 28, 2025

Si e mashtroi “International Medicare Sante Plus” qytetarin portugez, spitali i mori pacientit mbi 5 mijë euro dhe nuk i kreu shërbimet, doktorët u larguan pa kryer ndërhyrjet

  • PublishedOctober 28, 2025

Prokuroria e Tiranës sekuestroi sot pasuritë e International Medicare shpk e Sante Plus, pasi  spitali fshehu të ardhurat nga fitimet ndërsa rezulton se nuk ka paguar taskat.

“Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë sekuestrohen pasuritë e International Medicare shpk e Sante Plus, gjenden mbi 1 milionë euro fatura jo tatimore, fshehën të ardhurat e nuk paguan taksat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Hetimet për spitalin nisi pas denoncimit të një shtetasi portugez, C.S.

Ky shtetas pagoi një shumë prej 5200 eurosh për marrjen e tre shërbimeve nga ky spital por doktorët që do të kryenin ndërhyrjet u larguan nga spitali. Pas disa anulimeve, ai kërkoi kthimin e shumës së parave por pa sukses. Kallëzuesi deklaroi se u mashtrua nga ky spital pasi i morrën paratë dhe nuk i ofruan shërbimin duke përdorur justifikime të ndryshme.

NJOFTIMI I PROKURORISE

Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë sekuestrohen pasuritë e International Medicare shpk e Sante Plus, gjenden mbi 1 milionë euro fatura jo tatimore, fshehën të ardhurat e nuk paguan taksat

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u vendos sekuestro konservative ndaj të gjitha pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve International Medicare shpk dhe Sante Plus Group.

Hetimet mbi procedimin penal nr.5022, viti 2024, për veprat penale të parashikuar nga nenet 143/2, 179/3 dhe 180/3 të K. Penal, të kryera në bashkëpunim Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë, nisën pas denoncimit të një shtetasi portugez, C.S. ndaj subjektit International Medicare shpk (ish Sante Plus Group).

Ky shtetas pagoi një shumë prej 5200 eurosh për marrjen e tre shërbimeve nga ky spital por doktorët që do të kryenin ndërhyrjet u larguan nga spitali. Pas disa anulimeve, ai kërkoi kthimin e shumës së parave por pa sukses. Kallëzuesi deklaroi se u mashtrua nga ky spital pasi i morrën paratë dhe nuk i ofruan shërbimin duke përdorur justifikime të ndryshme.

Nisur nga faktet e parashtruara në kallëzimin e shtetasit C.S. dhe nga deklarimet e marra të punonjëseve, u provua se ky spital operonte me mandate dore dhe jo kupona tatimorë. Gjatë kontrollit u gjetën 1 milionë euro fatura jo tatimore, të padeklaruara, ndërsa dyshohet se si mjekë punonin persona kryesisht shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë. U mbajt procesverbal për kqyrjen e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u fiksuan si provë materiale, në sallat kirurgjikale medikamente të ndryshme të skaduara, si dhe medikamente që ndalohet shitja dhe lejohen për përdorim vetëm në spitale private.

Po kështu, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se nga ana e subjektit International Medicare shpk, është vepruar në kundërshtim me ligjin duke fshehur të ardhurat e përfituara nga pacientët, nëpërmjet mosdeklarimit të këtyre të ardhurave në organet tatimore në sistemet përkatëse fiskale, por duke i marë këto të ardhura me mandate arkëtimi jo fiskale.

Në këto kushte ka të dhëna te mjaftueshme se nga ana e personave nën hetim dhe e subjektit International Medicare,  janë fshehur të ardhurat ne vlera te konsiderueshme duke bërë që për këto të ardhura të mos kryhen pagesat në favor të buxhetit të shtetit, duke i sjelle dëm të madh ekonomik interesave të shtetit shqiptar.

Nga aktet rezultoi se në kushtet kur nga raporti i kontrollit dhe veprimet e kundërligjshme në fshehjen e të ardhurave dhe mospagimit të taksave dhe tatimeve nga ana e Sante Plus Group me ortak B. K. dhe adminsitrator E.Z. është regjistruar pranë QKB dhe subjekti International Medicare shpk po me të njëjtët ortak e administrator.

Këto veprime të personave nën hetim ka dyshime se janë kryer me qëllimin e vetëm të mos kryerjes së pagesave të tatimeve dhe taksave në favor të shtetit në kushtet kur për Sante Plus Group sipas ekstraktit të QKLB, ishin vendosur një sërë sekuestrosh konservative nga zyra përmbarimore për ekzekutime të vendimeve të gjykatave.