“Arrestimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar janë thjesht statistika”- Tedi Blushi: “Gjakderdhja” financiare e aferave të tyre korruptive vijon ende
Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, mbajti sot fjalën në takimin e 20 të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian.
Gjatë fjalës së tij Blushi komentoi situatën e institucioneve në vendin tonë, që sipas tij janë nën kontrollin e kryeministrit Edi Rama.
Blushi u ndal te arrestimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar, duke i cilësuar ato si “gjoja arrestime”.
“Gjoja arrestimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar, janë thjesht statistikë, sa kohë gjakderdhja financiare e aferave të tyre korruptive ende vijon. Siç është rasti i inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston, por që vijon të paguhet me 90 mijë euro në ditë, pa harruar faktin se ishte Kryeministri ai që i dha bonusin 8% kompanisë kur ajo nuk ekzistonte as në letër e ndërkohë asnjë hetim real ndaj tij nuk ka nisur”, tha Blushi.
Tedi Blushi: Shteti i së drejtës është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian, të përcaktuar qartë në Nenin 2 të Traktatit krah respektimit të dinjitetit të njeriut, lirisë, demokracisë, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Për Shqipërinë, që aspiron për t’u bërë anëtare e Unionit, këto parime duhen të jenë udhërrëfyes thelbësor.
Reforma në Drejtësi, e miratuar me konsensus politik dhe pritshmëri të mëdha 9 vite më parë, sot rezulton një dështim. Indeksi i Sundimit të Ligjit 2025, përgatitur nga Ëorld Justice Project, është tregues i gjendjes reale ku ndodhet vendi.
Nga një vështrim i të dhënave nga viti 2015, kur Shqipëria ende nuk kishte miratuar Reformën në Drejtësi, përkeqësimi rezulton në masën 100%.
Konkluzionet konfirmojnë se Shqipëria ka korrupsionin më të lartë në rajon dhe Europë. Në vitin 2015 kemi qenë në vendin e 78-të sa i përket përhapjes së korrupsionit, tani me krijim e SPAK dhe organeve të reja të drejtësisë, Shqipëria renditet në vendin e 105 në botë, krah diktaturave më të këqija.
Akoma më shokuese janë të dhënat për drejtësinë penale dhe atë civile.
Për drejtësinë civile, në vitin 2015 kemi qenë në vendin e 55, tani jemi në vendin e 99, ndërsa sa i përket drejtësisë penale, kemi qenë në vendin e 46, tani jemi në vendin 82.
Edhe Vietnami komunist një partiak është në vendin e 83-të për sundimin e ligjit i renditur 22 vende më mirë se Shqipëria, ndërkohë që shteti më ri në rajonin tonë, Kosova, renditet në vendin e 59.
Për fat të keq, këto të dhëna përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve tanë, që nisur nga kjo situatë shumë e rëndë kanë humbur shpresën dhe po vijojnë të largohen nga Shqipëria për ta ndërtuar jashtë të ardhmen e tyre.
Pak javë më parë Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, u ekzekutua në sallën e gjyqit.
Në një sondazh online, 78% e qytetarët ishin të mendimit që vrasja u ndikua nga mosfunksionimi i drejtësisë.
Kjo gjendje shumë e rëndë u krijua për shkak se Reforma në Drejtësi u kap nga Qeveria, dhe u tjetërsua, me rekomandimet dhe mbështetjen e George Soros.
Institucionet e reja u ngritën me shkelje flagrante të ligjit. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor u zgjodhën pa transparencë, shpesh me rekorde që sfidonin çdo standard ligjor.
Prokurorja e Përgjithshme u zgjodh pa vetting dhe me 69 nga 84 vota në Kuvend, duke shkelur rëndë Kushtetutën dhe vet Reformën në Drejtësi.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u bllokua për një kohë të gjatë, në dhunim të ligjit dhe Kushtetutës, me qëllim të qartë kapjen nga Qeveria. Gjatë procesit të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese u vërtetua tentativa mafioze për të rrëmbyer anëtarët e Gjykatës, që ishin kompetencë e Presidentit të Republikës derisa më së fundi u rrëmbye edhe mandati i gjykatëses kushtetuese Bejtja.
Është iluzion të besosh në një drejtësi të pavarur dhe të drejtë në një vend ku nuk ekziston siguria juridike për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët detyrohen të ndërpresin mandatin kushtetues të koleges së tyre.
Pa harruar manipulimet kriminale të Ardian Dvoranit dhe përpjekjet e Qeverisë për të bërë betimet e gjykatësve kushtetues tek noteri privat dhe jo tek Presidenti i Republikës, makinacione antikushtetuese që për fat të keq u inkurajuan dhe u mbështetën edhe nga disa diplomatë të korruptuar europianë dhe amerikanë të akredituar në Tiranë, që inkurajuan, duartrokitën ose heshtën për shkeljen e Kushtetutës.
Shkërmoqja e Reformës vijoi me dhjetëra ligje të ndryshuara njëanshmërisht ende pa filluar funksionimi i tyre, pa konsultim me Komisionin e Venecias, me nisma të Qeverisë dhe me një Parlament jolegjitim.
Nuk u hartua asnjë strategji për të zgjidhur kolapsin e sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, ku mungesat në personel janë kritike dhe ku qindra mijëra dosje kanë mbetur pa u trajtuar që nga Gjykata e Lartë e deri te gjykatat e të gjitha niveleve.
Vettingu u kthye në një gjueti shtrigash, jo vetëm si proces i komanduar nga zyra e Kryeministrit Rama por edhe i realizuar me anëtarë që ishin familjarë të Qeverisë.
Koorporatizmi në sistem aktualisht është shumë më i madh dhe më i rrezikshëm se sa përpara reformës.
Aksesi i qytetarëve në drejtësi, me hartën e re gjyqësore është rrënuar.
Koha për të marrë drejtësi është rritur deri në mbi 15 vite dhe ngarkesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve pothuajse është 5-fishuar duke ulur në mënyrë kritike nivelin e cilësisë së hetimit dhe gjykimit.
Janë qindra mijëra dosje në pritje për t’u shqyrtuar nga vetëm 267 gjyqtarë, sepse sot ne kemi 9.8 gjyqtarë për 100 mijë banorë nga 21.9 gjyqtarë që është mesatarja europiane.
Një proces ligjor në gjykatë që kërkon mbi 15 vite është ekstremisht i vonuar dhe inekzistent. Drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar dhe këtë po përjetojnë sot të gjithë shqiptarët. Pa harruar kostot e shtuara financiare dhe faktin tragjik që po ndodh gjithmonë edhe më shpesh që qytetari merr drejtësi pasi ka ndërruar jetë.
Kapja e drejtësisë, kaq shumë e lavdëruar dhe e mbështetur nga George Soros, ishte shkatërrimi përfundimtar i saj dhe mohimi i së drejtës së shqiptarëve për të patur një proces ligjor të drejtë.
Kjo reflektohet qartë në pandëshkueshmërinë e Kryeministrit Edi Rama, autorit të shkatërrimit të saj.
Institucionet e reja të drejtësisë të krijuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si SPAK kanë dështuar në përmbushjen e objektivave të shumëpritura sepse u shndërruan në struktura të posaçme persekutimi politik me qëllim goditjen e kundërshtarëve politikë. Edhe gjoja arrestimet e anëtarëve të kabinetit qeveritar, janë thjesht statistikë, sa kohë gjakderdhja financiare e aferave të tyre korruptive ende vijon.
Siç është rasti i inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston, por që vijon të paguhet me 90 mijë euro në ditë, pa harruar faktin se ishte Kryeministri ai që i dha bonusin 8% kompanisë kur ajo nuk ekzistonte as në letër e ndërkohë asnjë hetim real ndaj tij nuk ka nisur.
Urdhri publik i Edi Ramës më 7 maj 2022 nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, për arrestimin e dy liderëve kryesorë të opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, ishte njëherazi edhe asgjësim përfundimtar i SPAK si institucion i pavarur.
Prej më shumë se një viti ish-Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta (i cili kurrë nuk ka kundërshtuar hetimet ndaj tij por gjithmonë ka bashkëpunuar me drejtësinë) në shkelje flagrante të ligjit, të Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut u rrëmbye në mënyrë kriminale, pasi u dhunua dhe u tërhoq zvarrë, nga persona të armatosur dhe të paidentifikuar, pa ju komunikuar asnjë urdhër ndalimi, pa ju dhënë e drejta të kontaktonte avokatin apo familjarët dhe vijon të mbahet në mënyrë të paligjshme në kushtet e një izolimi ekstrem e antiligjor pa fakte dhe pa prova penale.
Persekutimi i tij politik nisi edhe për shkak se ai ishte një nga denoncuesit kryesorë të shkatërrimit dhe kapjes së Reformës në Drejtësi nga Edi Rama.
Z.Meta sot i është privuar e drejta që ia njeh ligji për t’u takuar me deputetë dhe eurodeputetë (Z.Beleri, këtu i pranishëm, është dëshmitar për këtë) si dhe të komunikojë lirshëm me mediat dhe gazetarët.
Gjetet shumë të rënda të Avokatit të Popullit faktuan se çdo provë institucionale dhe dokument procedurial lidhur me rrëmbimin e tij është zhdukur.
Urdhri i “arrestit me burg” ishte mbështetur mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë, rrjedhimisht i paligjshëm.
Skandali vijoi me faktin se Gjykata urdhëroi SPAK, BKH e Policinë për ndalimin, por në shkelje të vendimit të gjykatës, ndalimi i tij i dhunshëm dhe antligjor u krye vetëm nga policia.
Standardet e rrëmbimit kriminal të Z.Meta vulosën edhe standardet e hetimit dhe të këtij procesi farsë.
Z. Meta, i cili luajti rol kyç në miratimin me konsensus të Reformës në Drejtësi, vijon të mbahet në burg politik edhe pse hetimet kanë përfunduar dhe çështja ka kaluar për gjykim, në tejkalim të çdo afati ligjor procedurial.
Madje edhe pse pas hetimit 34 vjeçar të SPAK ndaj aktivitetit të tij politik rezultoi: Zero fakte penale! Zero prova penale! Zero akte dhe vendime të paligjshme! Zero lekë dëm buxhetit të shtetit! Zero lekë të përfituara në shkelje të ligjit! Zero pasuri të paligjshme! Z. Meta mbahet në paraburgim, pavarësisht se nuk paraqet rrezik për të prishur ndonjë provë të supozuar, për t’u arratisur, për të penguar çështjen apo për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet.
Z. Meta i mohohet lirimi me kusht dhe gjykimi si të pandehurit e tjerë, të akuzuar në të njëjtën çështje, të cilët janë lënë të lirë duke ilustruar pabarazinë e theksuar dhe vendimin politik.
Kjo ndodh kur vetë drejtuesi i SPAK, Altin Dumani ka pohuar para mediave se gjykatat në afërmendsh vendosin çfarë kërkon SPAK, çka shkatërron parimin e ndarjes së pushteteve dhe provon kontrollin nga një dorë të procesit të hetimit dhe gjykimit.
Pa harruar faktin se SPAK ka të drejtë të përgjojë 24/24 gjyqtarët, çka cenon rëndë pavarësinë e vendimmarrjes së tyre.
Ky rast nuk është vetëm një tregues për standardet jo europiane të hetimit ndaj Z.Meta por një këmbanë alarmi dhe një paralajmërim për çdo qytetar që ndihet i pambrojtur dhe i rrezikuar nga ky sistem represiv që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës që flet Neni 2 i Traktatit të BE.
Mbi 40 milion euro ka shkuar në këto 9 vite dëmi që Gjykata e Strasburgut ka vendosur për Shqipërinë për shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të njeriut, zvarritje procesesh, moszbatim vendimesh dhe shkelje të së drejtës së pronës.
Kjo faturë pritet të rritet edhe më shumë dhe atë do e paguajnë po prapë shqiptarët, populli më i vjedhur dhe më i varfër i Europës, që i drejtohen Strasburgut se nuk gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre.
U bënë dy vite që Bashkimi Europian ka ndërprerë fondet e IPARD për shkak të vjedhjes së tyre dhe dërgimit jo te fermerët por te inceneratorët që nuk ekzistojnë dhe bandat e lidhura me Qeverinë.
Fermerët shqiptarët po humbasin për të dytin vit radhazi 112 milion euro për shkak se jo vetëm Qeveria por edhe SPAK (nënkupto drejtësia) i ka braktisur.
Integrimi europian i Shqipërisë kërkon një përkushtim të fortë ndaj sundimit të ligjit dhe garantimit të shtetit të së drejtës.
Duke mbështetur me vendosmëri të palëkundur ecurinë e procesit të integrimit më lejoni të theksoj në emër të Partisë së Lirisë se standardet e Bashkimit Europian nuk duhet të mbesin në letër por të plotësohen në menyrë cilësore, të qëndrueshme dhe t’u shërbejnë së pari krijimit të standardeve europiane të jetesës të gjithë qytetarëve shqiptarë.
