Wed, Oct 29, 2025

Dy të arrestuarit për grabitjen e Muzeut të Luvrit pranojnë “pjesërisht” autorësinë, ende asnjë gjurmë për bizhuteritë! Prokuroria: Sulmuan me stilin komando

  • PublishedOctober 29, 2025

Prokurorja e Parisit, Laure Beko, njoftoi se hetimi për grabitjen spektakolare në Muzeun e Luvrit ka bërë “përparim të konsiderueshëm”, duke zbuluar se dy të dyshuar janë arrestuar dhe “kanë pranuar pjesërisht pjesëmarrjen e tyre” në incident.

Prokurorja e Parisit theksoi se “rreth njëqind hetues” punuan pa u lodhur për të identifikuar autorët dhe për të rikuperuar bizhuteritë e vjedhura. Ajo tha se “këmbëngulja dhe vendosmëria e hetuesve ishin vendimtare në këtë rast të gjatë dhe të vështirë”.

Sipas Bekos, dy të dyshuarit e arrestuar të shtunën e kaluar janë të moshës 34 dhe 39 vjeç. I pari është tashmë “nën kontroll gjyqësor për një rast tjetër vjedhjeje” dhe është i njohur për autoritetet për “incidente të përsëritura vjedhjeje”.

Autori i dytë i dyshuar punon si shpërndarës dhe ka një precedent penal për “vjedhje dhe shkelje të rregullave të trafikut”. Identifikimi i tij u bë, siç tha prokurorja, “nëpërmjet një mostre ADN-je të gjetur në njërën nga motoçikletat e përdorura në grabitje”.

Dy të dyshuarit kanë “pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre” në incident, por bizhuteritë mbeten të zhdukura.

“Sendet e vjedhura nuk janë gjetur ende”, tha Beko, duke shtuar se “këto sende me vlerë tani janë të pamundura për t’u shitur. Kushdo që përpiqet t’i blejë ato po kryen veprën penale të marrjes së të ardhurave nga krimi. Ka ende kohë për t’i kthyer ato”.

Prokurorja sqaroi se, për momentin, “nuk ka prova që sugjerojnë se autorët e krimit kishin ndihmë nga brenda ”, ndërsa theksoi se “hetimi është duke vazhduar” dhe se ka “shumë më shumë të dhëna që duhen përdorur”.

Beko vuri në dukje gjithashtu se do të jetë “veçanërisht e vështirë të rikthehet kurora e Perandoreshës Eugenia”, e cila u braktis nga grabitësit gjatë arratisjes së tyre.

Dy të arrestuarit, sipas saj, “janë para autoriteteve gjyqësore” për t’u akuzuar për “vjedhje nga një bandë e organizuar”, një vepër penale e dënueshme deri në 15 vjet burg, si dhe “krijimin e një organizate kriminale”, e dënueshme deri në 10 vjet burg. Zyra e prokurorit ka kërkuar tashmë ndalimin e tyre të përkohshëm.

Prokurorja nuk e përjashtoi mundësinë e përfshirjes së më shumë personave, duke vënë në dukje se kamerat e sigurisë “kanë regjistruar praninë e katër autorëve”.

“Nuk përjashtohet që pas grabitjes qëndronte një grup më i madh”, tha ajo. Së fundmi,  Beko  e përshkroi grabitjen si një “operacion komando”, duke nënvizuar planifikimin e plotë dhe shpejtësinë me të cilën u krye.