Wed, Oct 29, 2025

Kreu i KLSH: Institucionet po na bllokojnë proceset audituese

  • PublishedOctober 29, 2025

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit pengohen nga institucionet publike për të aksesuar databazën e të dhënave të tyre për auditim, u ankua të mërkurën në Kuvend kryetari i i këtij institucioni, Arben Shehu, por pa pëmendur me emër këto institucione publike.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve për zgjatjen tej afateve ligjore të auditimeve, Shehu tha se kjo zgjatje nuk vinte për faj të të audituesve, por të institucioneve nën auditim.

“Kemi auditime në proces dhe nuk mund ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit të institucionit që është në auditim,” tha Shehu në Komisionin e Ekonomisë, duke e shtuar se “ky është bllokim i procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, pyeti se çfarë zgjidhje sugjeronte Shehu për të adresuar problemin dhe a kishte diçka që mund të bënte Kuvendi ndaj zyrtarëve shtetërorë që të mos shmangin përgjegjësinë ligjore.

“Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij,” u përgjigj kreu i KLSH-së, duke lajmëruar komisionin se do të drejtohej në në rrugë institucionale për raste konkrete të pengimit të punës së audituesve.

Ndërkohë, Shehu adresoi edhe ankesa të punonjësve dhe ish-punonjësve të të KLSH-së se ishin gjendur para pamundësisë për të audituar punën e kryeminisrit, dhe iu referua një letër-ankese të dorëzuar në komision, ku kërkohej sipas tij, “suporti i Kuvendit për KLSH-në që të kishte mundësinë të auditonte punën e kryeministrit”.

Edhe pse kryetarja e komisionit, Milva Ikonomi pohoi adresimin e këtij shqetësimi nga punonjësit e KLSH-së, ajo kërkoi që çështja të trajtohej në një mbledhje tjetër dhe mbledhja të fokusohej tek raportimi i KLSH për punën e tij gjatë vitit 2024.

Shehu kërkoi që komunikimi mes institucionit të pavarur që ai drejton dhe Kuvendit të ishte i vazhdueshëm për të adresuar problematikat, duke iu referuar si një përvoje të mirë në këtë drejtim lidhur me një nënkomision të posaçëm që u ngrit në legjislaturën e shkuar për të adresuar zbatimin e rekomandimeve të auditimeve të KLSH-së nga administrata publike.

Duke paraqitur një ekspoze të përgjithshme të auditimeve për vitin 2024, Shehu tha se ishin kryer 159 auditime në të gjitha hallkat e qeverisjes. Ai tha se për shkeljet e evidentuara, KLSH kishte bërë 13 kallëzime penale dhe 4378 rekomandime për masa disiplinore, administrative dhe financiare.

Pyetjet e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës u fokusuan tek çështje të veçanta, kryesisht në lidhje me auditimet e kontratave koncensionare. Për shumicën e çështjeve, Shehu tha se ishin në proces auditimi dhe sugjeroi që të rezultatet e tyre të diskutoheshin në seanca të posaçme me kërkesë të Kuvendit.