Masakër në Sudan, 460 të vdekur në sulmin ndaj maternitetit! OBSH bën thirrje për armëpushim
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Sudan, pas raportimeve tronditëse për vrasjen e të paktën 460 personave në maternitetin saudit të qytetit El Fasher, i cili u pushtua nga forcat paramilitare në fund të javës së kaluar.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh se organizata është “thellësisht e shqetësuar nga raportimet për vrasjen tragjike të më shumë se 460 pacientëve dhe shoqëruesve të tyre”, pas sulmeve të fundit dhe rrëmbimit të punonjësve të shëndetësisë. “Ndaloni zjarrin!”, apeloi ai.
Pas pushtimit të El Fasherit, Forcat e Shpejta të Mbështetjes (RSF) kanë marrë nën kontroll të gjithë rajonin e Darfurit, një zonë e madhe që përbën rreth një të tretën e territorit të Sudanit. RSF, nën komandën e gjeneralit Mohamed Dagalo, kanë krijuar një qeveri paralele, në kundërshtim me regjimin e udhëhequr nga kreu i ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan. Aktualisht, ushtria kontrollon veriun, lindjen dhe qendrat kryesore të vendit, ndërsa RSF dhe aleatët e tyre mbajnë pjesën jugore.
Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e ndarjes së re të Sudanit dhe përsëritjes së masakrave që gjakosën Darfurin në fillim të viteve 2000.
“Të gjitha sulmet ndaj infrastrukturës shëndetësore duhet të ndalen menjëherë dhe pa kushte. Pacientët, punonjësit e shëndetësisë dhe institucionet spitalore duhet të mbrohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare,” theksoi Ghebreyesus.
Sipas të dhënave të OBSH-së, që nga fillimi i përleshjeve në prill 2023, janë regjistruar 185 sulme ndaj institucioneve shëndetësore, me 1,204 viktima dhe 416 të plagosur. Vetëm gjatë këtij viti, janë raportuar 49 sulme, që kanë shkaktuar 966 të vdekur në total.
