Wed, Oct 29, 2025

“Nuk është me dashje qejfi, e detyruar!”- Deputeti Korreshi: Nëse Balluku nuk shkon në SPAK, do merren masa të tjera! Duhet të dorëhiqej, ja hapat që ndiqen…

  • PublishedOctober 29, 2025

Paraqitja në SPAK nuk është me dashje qejfi, por me detyrim dhe Belinda Balluku do të shkojë atje, ndërsa ka edhe hapa proceduriale që ndiqen.

Kështu u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, në lidhje me zhvillimet më të fundit në vend, hetimi dhe thirrja në Prokurorinë e Posaçme e zv/kryeministres për çështjen e abuzimit me tenderët.

“Kjo nuk është me dashje qejfi, është e detyruar të shkojë atje. Prokuroria i drejtohet Kuvendit pastaj nëse nuk paraqitet, për t’u shoqëruar me forcë. Dërgohet me shkresë për shkak të imunitetit, që të paraqitet, ndryshe pastaj ka procedura të tjera”, u shpreh ligjvënësi për “News 24”.

Por a duhet t’i mbajë postet që ka zv/kryeministrja pas hetimit që ka nisur SPAK?

“Unë e quaj institucion dorëheqjen, por këtu në Shqipëri turpi hahet me bukë. Minimalisht mendoj se duhet të japë dorëheqjen, kjo është përgjegjësi e çdo individi. Kemi në vendet e huaja ku japin dorëheqjen edhe për gjëra më të vogla. Por unë mendoj se Balluku duhet të japë patjetër dorëheqjen”, komentoi ai.

Për Korreshin procedura është e qartë, madje mund të shkojë deri në masa shtrënguese, si bllokimi i pasaportës, procedurë që u ndoq edhe me kreun e PD, Sali Berisha.

“Kjo është procedura, Prokuroria i drejtohet Kuvendit nëse nuk paraqitet, sepse mund të ndodhë edhe që të refuzojë apo dhe të arratiset. Por SPAK ka në dorë të marrë edhe masat parandaluese për këto, që të sekuestrojë edhe pasaportën, siç u veprua me zotin Berisha. Pra nëse ajo nuk shkon edhe pas kërkesës së Kuvendit, atëherë do merren masa të tjera”, tha deputeti.

Për ligjvënësin demokrat, kjo mazhorancë është bërë si thes i shpuar dhe kriminaliteti është në nivele të larta.

“Mazhoranca është një thes i shpuar që mezi rri në këmbë. Shqipëria është e inkriminuar nga fundi në krye”, u shpreh ai.