Wed, Oct 29, 2025

Siria njeh Kosovën si shtet, Vjosa Osmani: Mirënjohje për vendimin dhe mbështetjen për popullin tonë

  • PublishedOctober 29, 2025

Siria, vend në Lindjen e Mesme, bërë shteti i 120-të i cili ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se të mërkurën në Riad kanë arritur marrëveshje nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë e ka njohur Republikën e Kosovës.

Ajo e falënderoi presidentin e Sirisë, Al Sharaa, për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin e saj.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Postimi i Vjosa Osmanit:

Siria njeh Kosovën!

Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.

Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona.

Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!

Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia e njohën atë.

Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.