“Diella do pjellë 83 dobiçë që do zëvendësojë deputetët”- Korreshi ironi me socialistët: Kjo është drejtësia juaj, qytetarët presin në radhë me vite, kush ka lekun…
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ironizoi sot nga foltorja e Kuvendit deputetët socialistë në sallë, duke i pyetur në mënyrë retorike se si ndiheshin tani që “Diella ka pjellë 43 dobiçë” që do zëvendësonin ligjvënësit e mazhorancës.
Teksa mbajti fjalën e tij për reformën në drejtësi dhe dështimin e saj pas dhjetë vitesh, ai kujtoi se shumë nga ish-klientët e tij dikur ende nuk kanë mbaruar çështjet gjyqësore dhe presin në radhë, duke përmendur një prej tyre që e quajti “Nënë Zylfia” dhe e krahasoi me shembuj të tjerë ku zyrtarë apo ish-zyrtarë për gjyqet e tyre fitojnë miliona dhe kalojnë shkallët dy e nga dy, duke anashkaluar radhën dhe përdorur standarde të ndryshme.
Ai ironizoi edhe KLGJ dhe KLP, ku tha se arritja e reformës në drejtësi ishte shkurtimi me vetëm 16 ditë i proceseve gjyqësore që zgjasin nga 16 vite.
“Kemi këtu nënë Zylfien, s’kemi nevojë për atë raportin e Justice. Ça ka bërë nënë Zylfia? Ka bërë vetëgjyqësi, se ka vënë gardh, ka ndarë portën, ka një gjyq penal, që nga 2019 dhe është thirrur më 2025! E kuptoni, është çështje penale! Por bie fjala gjithë kjo reformë a ka një përmirësim të dukshëm? Dhe më thanë se ka përmirësim me 16 ditë! E kuptoni ju se si kemi vajtur. Kemi kaq vite reformë në drejtësi dhe e keni ulur me 16 ditë për në 16 vite që ishte. Njerëzit kanë masa sigurimi dhe kanë harruar ku kanë dosjen. Kur shikon këto raporte nga KLP apo Justice të duket sikur askush nuk shkon në terren të shohë se çfarë ndodh, ku njerëzit presin në radhë për drejtësi. Ja kam këtu çështje që nga viti 2008 dhe jemi në 2025 tani, e kuptoni ku ndodhemi apo jo, unë e kam mandatin e dytë këtu dhe kjo çështje nuk është zgjidhur. Që kur isha avokat”, tha Korreshi.
Ligjvënësi ironizoi edhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, duke thënë se “bëri reformën territoriale gjyqësore që të zvogëlonte hartën se ishte e madhe”.
“Kjo është drejtësia, reforma territoriale, se tha Ulsiu hajt ta ngushtojmë pak hartën se është e madhe, ta bëjmë më të vogël. Por korrupsioni është shtuar, se e sollët në Tiranë por e rritët, se sa më lartë të jetë, se është Tiranë, aq më shumë e do kapulën me lekë. Dhe presin kur të jepet drejtësia e zbardhet vendimi, pas tre vjetësh, ja kjo është drejtësia juaj. Ca e ca i zgjidhin çështjet me miliona euro, nga katër shkallë për tre vite, nga i fundi te i pari, kurse nënë Zylfia atje ka shtatë vjet. Kurse ajo tjetra për tre vjet tak 3 mln dollarë në xhep për tre vjet”, tha deputeti demokrat.
Nuk mungoi edhe shpotia për Policinë e Shtetit, që kap si provë materiale në Korçë një lepur apo për Diellën që pjell 83 deputetë të rinj që do zëvendësojnë ata në sallë.
“Pastaj na dalin lajme Policia me “u kap lepuri”, e lexova në lajme, ishte lepuri si provë. Ose na del KLP-ja procedime kundër 3 prokurorëve, ça drejtësie është kjo? Ore, në fund kam një pyetje për ju, kolegë këtu në sallë. Si do ndiheni tani ju deputetë këtu që Diella do pjellë 83 dobiçë, se do ju zëvendësojë ju, si do ndiheni ju këtu në sallë, jo për gjë?”, përfundoi ligjvënësi.
