Gjin Gjoni: Gjykatat dhe prokuroritë pa kryetarë, ku është reforma në drejtësi? 4 vjet për të zbardhur një vendim, këto janë thagma!
Deputeti demokrat Gjin Gjoni deklaroi sot në Kuvend se reforma në drejtësi kishte dështuar duke os arritur asnjë nga objektivët e saj të deklaruar dhjetë vite më parë.
Ai tha se nuk ka pavarësi në drejtësi, nuk ka akses, profesionalizëm, teksa edhe shkolla e Magjistraturës është bërë shtojcë e Partisë Socialiste, kurse ILD nuk merr asnjë masë për magjistratët që zvarrisin vendimet.
Gjoni vuri në dukje edhe problematikën me burimet njerëzor apo vakancat, ku tha se 100% e gjykatave dhe 60% e prokurorive janë ende pa kryetarë.
“Po të shohësh bazën nga është nisur reforma, asnjë nga elementët ligjor nuk ka qenë problem për këtë reformë. Kanë qenë elementë të reformës ata që përmendëm, korrupsioni, mungesa e pavarësisë, tejzgjatja dhe aksesi, a janë arritur këto? Unë them se jo! Edhe zoti Xhafaj, edhe zoti Manja e thanë këtu, e pranojnë. Më thoni mua, ku 100% e kryetarëve të gjykatave nuk janë emëruar, ku është suksesi i reformës këtu? Ku 60% e kryetarëve të prokurorive në rrethe nuk janë emëruar, ku është suksesi këtu i reformës?”, u shpreh deputeti i PD-së.
Për ligjvënësin, kur ai ishte gjyqtar, për më shumë se 3 muaj vonesa në zbardhje vendimi gjyqësor merreshin masa nga KLD apo ILD.
“Kur sot shkon 4 vjet zbardhja e një vendimi gjyqësor, ku nuk është marrë asnjë masë nga ILD, ku është reforma. Kur isha unë, për 3 muaj vonesë, merreshin masa për këto shkelje, a është shkarkuar njeri për këto sot në tetë vjet, asnjë!”, tha ligjvënësi.
Për ish-gjyqtarin, sistemi i drejtësisë është kthyer politik, dhe shkolla e Magjistraturës si shtojcë e PS-së. Dhe shumë nga gafat që janë bërë, sipas deputetit demokrat janë “thagma”.
“A funksionon Shkolla e Magjistraturës? Jo! Pse? Sepse janë njerëz të PS. Sepse është bërë shtojcë e Magjistraturës së Partisë Socialiste. Futen sot në Magjistrature dhe nuk ngel njeri deri tani atje, a e kuptoni. Sa prokurori bën ankim ndaj Gjykatës së Apelit, e kuptoni, e tha Prokurori i Përgjithshëm. Këto janë thagma në Drejtësi, nuk ka ndodhur kurrë zonja kryetare”, përfundoi ai.
