Sulmi ndaj “News24” në tryezën e OSBE-së, ambasadori Tarrani kërkon garanci për media të lira. Drejtoresha e Përgjithshme, Dhurata Çupi: Autoritetet ndërprenë sinjalin dhe penguan gazetaret!
Prezenca e OSBE-së në Tiranë organizoi Forumin e 11 të Zhvillimit të Medias. Kreu i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, vlerësoi se mjedisi mediatik luan një rol themelor në çdo shoqëri demokratike.
Duke iu referuar Raportit të Sundimit të Ligjit të Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi Shqipërinë dhe siç është pasqyruar në vlerësimet e OSBE-së, ambasadori Tarran tha se sfidat kryesore vazhdojnë të ekzistojnë në sektorin e medias. Ambasadori Tarran theksoi: “Angazhimet e OSBE-së janë të qarta: shtetet pjesëmarrëse duhet të promovojnë pluralizmin e medias, të sigurojnë transparencë në pronësinë e mediave dhe të parandalojnë përqendrimin e tepruar që mund të heshtë zërat e pavarur. Këto nuk janë vetëm standarde teknike, ato janë thelbësore për demokracinë.
Duke ecur përpara, objektivi ynë i përbashkët duhet të jetë një mjedis mediatik në Shqipëri që është i larmishëm, transparent, i pavarur dhe i qëndrueshëm ndaj presioneve politike ose ekonomike. Mbi të gjitha, një mjedis që mbështet debatin publik të informuar dhe promovon vlerat demokratike”. Profesori i Fakultetit të Gazetarisë dhe analisti Mark Marku foli për sfidat me të cilat përballet sot media shqiptare, duke nënvizuar nevojën për reformë dhe mbështetje të lirisë së medias.
SULMI SHTETËROR
Në forumin për zhvillimin e medias, një vend të rëndësishëm në diskutimet e pjesëmarrësve zuri edhe sulmi shtetëror ndaj “News24”. Drejtoresha e “Focus Media News”, Dhurata Çupi, u shpreh se dhuna shtetërore ndaj “News24” ishte një mënyrë për t’i mbyllur gojën një media kritike, duke shkelur çdo ligj dhe standard evropian. Kjo kulmoi me fikjen e sinjalit të televizionit, dëbimin e gazetarëve nga redaksitë dhe konfiskimin e materialeve të tyre.
“Për disa ditë, qytetarët shqiptarët u privuan nga e drejta për të marrë informacion dhe ky është thelbi i një akti censure. Paralel me ndërprerjen arbitrare të sinjalit përmes urdhrit për lënien e godinave të ‘News24’, gazetarët u penguan në kryerjen e detyrës dhe u penguan të aksesojnë mjetet e punës. U krijua një situatë ku cenoi seriozisht të drejtën për informim dhe integritetin e profesionit të tyre. Këto akte janë sulme ndaj lirisë së medias, bien ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe me parimin e aktit europian për lirinë e medias, i cili përcakton qartë se autoritetet publike nuk mund të përdorin masa administrative për të ndikuar politikën editoriale të medias”, – u shpreh Çupi.
Përveç dhunës shtetërore, Çupi ngriti edhe shqetësimin e presionit ekonomik ndaj medias, ku gjobat përdoren për të shantazhuar dhe censuruar fjalën e lirë.
“Presioni ndaj mediave nuk ndalet vetëm tek frekuencat, sinjali apo ndërtesa. Ai shpesh ndodh në mënyrë të sofistikuar përmes presioneve ekonomike. Në rastin e ‘Hysenbelliu Group’, pjesë e të cilit është edhe ‘News24’, kemi parë një sërë kontrollesh, gjobash dhe hetimesh administrative, që kanë karakter më shumë politik se sa ligjor. Kur shteti përdor instrumentet e veta për të ndëshkuar bizneset që mbështesin median e pavarur, qoftë duke i hedhur në erë me tritol, kemi të bëjmë me përpjekje për të kontrolluar fjalën dhe mendimin e lirë”, theksoi Dhurata Çupi.
Në këto kushte, Çupi propozon një sërë masash që duhen ndërmarrë për të mbrojtur lirinë e medias, përballë presioneve të përditshme të pushtetit.
Forumi për zhvillimin e medias është një platformë diskutimi mbi problemet që kërcënojnë lirinë e shtypit dhe mënyrat e mbrojtjes së medias përballë presioneve të ndryshme.
/Gazeta Panorama
