Fri, Oct 31, 2025

“Figura që më hapi dyert e politikës!”- Niko Peleshi për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos: Politikani modern që solli frymën e vërtetë evropiane

  • PublishedOctober 31, 2025

Kryeparlamentari Niko Peleshi ka bërë një postim të ndjerë për humbjen e ish-kryetarit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, fatos Nano, që u nda nga këta ditën e sotme (31 tetor).

Ndërsa i shpreh lamtumirën me një postim në rrjetin social Facebook, Peleshi kujton se Nano i hapi dyert e politikës kur kishte fillimet e tij të para si i zgjedhur vendor, kryebashkiak i Korçës, por edhe më pas.

Kryeparlamentari vlerësoi figurën e Nanos jo vetëm si një drejtues i socialistëve, por edhe si njeri që theu dogmat dhe solli frymën evropiane, duke e ngritur PS-në në nivelet më të larta dhe çuar vendin drejt Perëndimit.

“Për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, ta mbante atë në këmbë në një kohë kur filli ku varej ishte jashtëzakonisht i hollë. Ai kishte guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin”, thekson ai.

Teksa në fund vlerëson se historia do gjykojë veprën e tij me drejtësi, duke e quajtur privilegj njohjen me Nanon.

Reagimi i plotë i Niko Peleshit në Facebook:

“Lamtumirë, Fatos Nano!

Para pak çastesh u nda nga jeta Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themeluesi dhe drejtuesi vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005.

Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që më hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë ndaj një brezi të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që ne të gjithë e ëndërronim. Ai kishte atë aftësi të rrallë për t’u dhënë hapësirë njerëzve të provonin veten në shërbim të vendit.

Por figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik. Ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Në një kohë kur shumë ende mendonin me mendësitë e së shkuarës, ai fliste për të ardhmen.

Për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, ta mbante atë në këmbë në një kohë kur filli ku varej ishte jashtëzakonisht i hollë. Ai kishte guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin.

Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ne që patëm privilegjin ta njohim, ta dëgjojmë dhe të punojmë pranë tij, e dimë se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste.

I paharruar, Fatos Nano!”