Fri, Oct 31, 2025

Komisioni i Ligjit rrëzon kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e presidentit Begaj

  • PublishedOctober 31, 2025

Komisioni për çështjet ligjore ka rrëzuar kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i cili kërkoi sot nisjen e procedurave për shkarkimin e Bajram Begajt nga detyra e Presidentit të Republikës.

Vendimi për rrëzimin e kërkesës së PD u mor me votat e deputetëve të Partisë Socialiste.

9 deputetë të PS votuan kundër kërkesës, ndërsa 5 deputetë demokratë votuan pro shkakrimit të Bajram Begajt.

Deputeti demokrat Gjin Gjoni tha sot në Komision se Grupi Parlamentar i PD paraqiti kërkesën për fillimin e procedurës për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj për shkelje të rëndë dhe në mënyrë të vazhdueshme.

“Grupi i PD ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj për shkelje të rëndë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Kërkesa është argumentuar gjërësisht me një material prej 80 faqesh të mbështetur me 21 prova shkresore. Jemi të bindur që Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de juro kryetar i shtetit, funksione që de facto i ka humbur prej shumë kohësh tashmë”, tha Gjin Gjoni.

Ai renditi shkeljet që opozita pretendon se janë kryer nga presidenti Bajram Begaj.

Sipas PD Begaj dekretoi zgjedhje në Tiranë në shkelje të Kushtetutës, ndërhyri në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si edhe dekretoi në shkelje ligjin për Komisionet Hetimore.

“Dekretoi ministren virtuale ‘Diella’, S’ndali trupën diplomatike nga përfshirja në fushatën e vitit 2025. Kabineti i tij ndërhyri në procesin e administrimit të zgjedhjeve.I biri i punësuar fiktivisht në një kompani private sigurimesh që përfiton tendera nga presidenca/ Vetë Begaj i punësuar në një klinikë private”, vijoi Gjoni.